TIRANË- 20-vjeçari Aldi Lleshaj, autori i grabitjes që ndodhi sot në autostradë në Lezhë ka mbërritur rreth orës 12:30 në qendrën spitalore të Traumës në Tiranë.

I shoqëruar nga forca të shumta policie ai ka hyrë me barelë, ndërsa këmbën e kishte të fashuar. Aty dyshohet se është plagosur nga policia me qëllim neutralizimin e tij pas rreth 2 orësh arrati.

Grabitja ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 9:20 pranë Kryqëzimit të Arbërisë ku 20-vjeçari Leshaj nga Kurbini me armë në dorë kërcënoi shoferin dhe grabiti automjetin tip “Porsche” me të cilin më pas u arratis.

Por menjëherë policia është vënë në ndjekje të tij, dhe ai ka qëlluar ndaj grupit të efektivëve duke plagosur në kokë policin Nikolin Gjergji.

Ai u arrestua pas 2 orësh në fushën e Gjormit ku edhe tentoi të qëllonte sërish ndaj policisë, e cila e plagosi në këmbë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb