BARI – Të shpeshta janë lajmet që qarkullojnë në media për trafikun e kanabisit nga Shqipëria në Itali, por duket se bima narkotike nuk është i vetmi ‘mall ilegal’ shqiptar, që synon tregun e shtetit fqinj.

Policia e Barit ka vënë në pranga një 40-vjeçar italian, i cili kthehej nga Shqipëria me dy valixhe të mbushura me breshka.

Gjatë kontrollit në makinën e tij tip “Fiat Multipla”, policia gjeti 63 breshka të llojit “s.p.p. Testudo”, në dy valixhe në bagazhin e mjetit. Sipas mediave italiane, 40-vjeçari i kishte blerë breshkat në Shqipëri me çmimin qesharak prej 15 eurosh dhe do ti shiste në Itali për 6500 euro.

Breshkat e tokës, “s.p.p. Testudo”, janë specie në rrezik zhdukjeje, të cilat mbrohen me një ligj nga Konventa e Uashingtonit të vitit 1973.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: