Në protestën e 55-të kundër kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës, qytetarët kanë ironizuar përmes pankartave dokumentin e prezantuar nga kreu i qeverisë para grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Gjatë fjalës së tij, Rama bëri të ditur se dokumentin e ka pagëzuar me emrin “Besa”, duke e cilësuar si një reflektim mbi qeverisjen, me synimin që vendimet e qeverisë të mos perceptohen më nga qytetarët si “prerje në besë”.
Megjithatë, ky emërtim u shndërrua në një nga temat kryesore të pankartave të protestuesve, të cilët e përdorën me tone ironike për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë.
Në një prej pankartave shkruhej: “Jepi besën Ramës që të pasurohet Belinda e të ngrejë vila Zegjineja?”, ndërsa një tjetër pyeste: “O Ramzi, sa herë ende do të na presësh në besë?”.
Mesazhet e protestuesve synuan të sfidonin narrativën e prezantuar nga kryeministri, duke e kthyer termin “Besa” në simbol të kritikave ndaj mënyrës së qeverisjes.
