Jean-Marie Le Pen, ish-president dhe bashkëthemelues i Frontit Kombëtar, u shtrua në spital pas një ataku kardiak. Sipas asaj që mësoi gazeta Le Parisien nga burime pranë familjes, bëhet fjalë për një “alarm serioz”.

Sipas burimeve të cituara nga e përjavshmja Le Point, Le Pen u shtrua në një spital në rajonin e Parisit pasi pati probleme në shtëpinë e tij në Rueil-Malmaison, në periferi rezidenciale të kryeqytetit francez. “Një gjendje e rëndë rraskapitjeje, ndoshta e natyrës kardiake, i shtyu mjekët ta shtronin menjëherë në spital”, tha një mik i themeluesit të Frontit Kombëtar.

Gjendja e Jean-Marie Le Pen, 94 vjeç, përshkruhet si “serioze” nga mjekët dhe ka bërë që gruaja e tij Jany dhe anëtarët e tjerë të familjes të shkojnë pranë tij. Le Pen u shtrua për herë të fundit në spital në shkurt 2022 pas një goditjeje të lehtë, por kohët e fundit nuk kishte pasur probleme shëndetësore.

Pesë herë kandidat presidencial, jashtë politikës pas përfundimit të mandatit të tij evropian në 2019, Jean-Marie Le Pen vazhdoi të komentonte rregullisht politikën aktuale franceze, pavarësisht se ishte tani jashtë partisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb