Kohë më parë në këtë llogari timen pata nxjerrë një post, ku (për mua) me humor, desha të provoj se bashkë me nënndërgjegjen e individit, pra atë kosh plehrash, dëshirash të ndaluara, kënaqësish të parealizuara, të pathënash të rënda, idesh perverse, frikash, plagë e tmerre të së shkuarës etj., ekziston edhe një nënndërgjegje kombëtare, një entitet i madh horroresh, mitesh të ndaluara, frustracionesh seksuale krejt të ngjashme me ato të individit etj., por që së fundi janë bërë të dukshme në saje të anonimatit që mundësojnë rrjetet sociale.

Kjo më erdhi ndermen sot, kur po lexoja intervistën e një vajze ruse me emrin Alla, që ka ndërtuar jetën në Shqipëri dhe për të cilën në komentet e lexuesve shprehen gjëra të pabesueshme si ato që kam sjellë më poshtë me copy paste!

Shkrimi në fjalë i viteve më parë është ky:

Eshtë e njohur që në një fazë të parë S. Freud duke analizuar psikikën njerëzore, foli për ndërgjegjen dhe nënndërgjegjen (koshiencë e nënkoshiencë që kurrsesi nuk duhet ngatërruar me inkoshiencën). Më pas ai e zhvilloi me tej teorinë e tij dhe foli për “unin”, “super unin” dhe “es” (ça, në frëngjisht).

Për lehtësi kuptimi le të mbetemi te faza e parë ku ai flet për ndërgjegjen dhe nënndërgjegjen.

Për të parën secili ka një ide të tijën, për të dytën (nënndërgjegjen), Freud thotë se është pjesa primitive dhe kafshërore e jona, që vihet në lëvizje nga impulse e pasione konfliktesh të pazgjidhura në të kaluarën. Pra, paraqitur shumë skematikisht përsëris me fjalët e Freud, se nënndërgjegjja është kafsha (prej nga e kemi origjinën) brenda nesh.

Kjo për individin.

Prej kohësh, me zhvillimin e rrjeteve sociale, me hapjen e gazetave në linjë që lejojnë komentet, siteve e bllogjeve etj., më ka lindur ideja se duhet të ketë edhe një nënndërgjegje kombesh që S. Freud-in mundësitë e kohës, nuk e lejuan ta njohë.

Atij nuk iu dha rasti të lexojë horrorin që vjellin me mijëra veta në linjë ndaj cilitdo që shpreh një problem të caktuar (nuk flas fare për opinionet politikë), veçanërisht kur janê gra dhe vajza. Shumë prej tyre, intelektuale, paraqitese emisionesh, opinioniste etj., që kanë një farë statusi shoqëror seksualizohen, përdhosen e madje përdhunohen seksualisht me fjalë nga qindra vetë, që duket se kanë rast të shfryjnë fantazmat, impulset e tyre dhe frustacionet seksuale në mënyrën më barbare e kafshërore që bëhen. (Në fakt po flasim per pjesen kafshërore te individit dhe shoqërisë.)

Duhet të jetë një traumatizëm i vërtetë për to.

Thënë shkurt, gjithçka tregon se edhe kombet, sikundër individët, kanë pjesën e tyre kafshërore që e shprehin masivisht, bujarisht e me gulçe orgazmash prej elefantësh, tani që teknologjitë e reja të komunikimit e mundësuan të shprehurit në mënyrë anonime.

Këto ide më erdhën këto ditë, tek pashe se fjala “kurvë” që u tha për një poete që shprehte diçka personale, ishte më e edukuara. Për rusen Alla, siç shihet më poshtë shkohet ende më larg…

Ndjesë plakut Freud që i hymë në fushën e tij, por jam i sigurt se atij nuk do t’i kishte shpëtuar ky fenomen dhe me siguri do të analizonte edhe pjesën kafshërore të nënndërgjegjes së kombeve, siç bëri për individin.

Dhe natyrisht, studenteve të tij do t’u rekomandonte të analizonin komentet e gazetave shqiptare dhe një sërë rrjetesh sociale, sikundër bëj edhe unë kur kam kohë…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: