Ishte nga primatologët më të mëdhenj të ditëve tona.
E kuptoj se shumë vetëve mund t’u duket i çuditshëm ky post, pa shumë lidhje me të tjerët.
E vërteta është se pasi ndoqa krejt rastësisht një konferencë të tijën në Belgjikë për mënyrën se si shimpanzetë zgjidhnin konfliktet dhe kryetarin e tyre të radhës (konferenca qe i jepte pas suksesit të librave të tij si Chimpanzee Politics. Peacemaking among Primates), nuk e dija fare se më pas punimet e tij do të më ndihmonin të gjeja zgjidhjen që më mungonte për romanin “Portret vrasësish në grup”.
Më saktë, grupi i i studentëve që është në qendër të romanit, të dëshpëruar nga fakti se zgjedhjet politike, sado të drejta e të monitoruara nuk e nxjerrin vendin e tyre nga gjendja e inercisë, ata te zbulimet antropologjikë të prof. De Waal, do të gjejnë një zgjidhje nisur nga mënyra se si primatët vendosin ekuilibrin e duhur në komunitetin e tyre.
Së fundi, e sjell këtë post si një homazh për tê. Prof. De Waal (dhe profesori i tij Jan van Hooff) shfaqen të dy te romani “Portret vrasësish në grup”, meqë punimet e tij ka rast t’i njohë një studente shqiptare që ndiqte nje kurs leksionesh në universitetin amerikan të Budapestit…
Ja edhe një fragment nga romani në fjalë (që nisur nga natyra filozofike, nuk prisja të thyheshin xhamat e librarive në Tiranë, sikunder nuk u thyen) :
De Waal u shfaq te dera e auditorit, i shoqëruar nga dy anëtarë të Këshillit Shkencor. Shkallët që të çonin drejt katedrës, i zbriti me hapin e lirshëm të një trajneri sportiv. Ndalonte të bisedonte me studentët dhe hidhte ndonjë autograf në librat që i zgjasnin.
Alma kishte gjetur mjaft informacion për karrierën e tij. Shumë biografë ishin të mendimit se formimi i mëparshëm si psikolog e kishte ndihmuar t’i zgjerojë kufijtë e kërkimeve antropologjike.
Njëri nga shoqëruesit e tij, i kujtoi auditorit se revista Time e kishte zgjedhur prof. De Waal në listën e 100 personaliteteve më me ndikim në botë, gjë që e detyroi profesorin të ngrejë duart si për të kërkuar falje për një gjë të tillë.
Si priti që auditori të pushonte së qeshuri, ai filloi leksionin. Si fillim tha se ishte një bisedë për Emocionet sociale te njerëzit dhe te kafshët.
Një djalë që ishte në tavolinën përpara, u kthye nga Alma dhe iu lut t’i bënte një foto, ku në sfond të dallohej edhe profesori.
……..
Në vazhdim të leksionit, profesori De Waal shpjegoi rezultatet e një përvoje, që e cilësoi të paharruar, kur në kopshtin zoologjik të Arnheim-it ndoqi luftën për pushtet të tre meshkujve shimpanze, të tre alfa në gjirin e një komuniteti prej njëzet e pesë individësh.
Por edhe pse përpiqej të mënjanonte një paralelizëm të konflikteve në gjirin e shimpanzeve me ato që ndodhnin në shoqërinë njerëzore, terma si, trafik influence, formim koalicionesh apo strategji ishte e pamundur të shmangeshin. Vërtet midis tyre kishte nisur një luftë e pamëshirshme për pushtet. Gjithë fjalori që ndeshet në kolonat e një gazete të madhe metropolitane gjatë fushatave elektorale, nuk dukej i tepruar për përshkrimin e asaj që ndodhte në gjirin e komunitetit. Dikur, vetiu vije në përfundimin se veprimet e primatëve drejtoheshin nga inteligjenca dhe jo thjesht nga instinkti.
Alma përpiqej të mbante shënime me shpejtësi, por Davor Kloteska e siguroi se këto ide De Waal i kishte trajtuar në librin e tij Shimpanzetë dhe politika. Nëse nuk do ta gjente në bibliotekën e universitetit, ai mund t’i siguronte versionin ebook.
Më interesanti dhe më i rrezikshmi ishte një shimpanze me profilin psikologjik të një bully, që terrorizonte të tjerët dhe përdorte të gjitha mjetet për të ruajtur pushtetin. Për pasojë individë të rinj që synonin të bënin një vend, e shihnin veten të përjashtuar. Nuk shihnin asnjë të ardhme aty. Gjithçka ishte në duart e më të fortit, e kryemashkullit. Femrat më të lakmuara, madje edhe disa meshkuj bënin pjesë në haremin e tij.
Por tamam atëherë kur jeta dukej e pamundur, disa individë të komunitetit krijuan aleancën e shpresës së fundit dhe organizuan vrasjen e mashkullit alfa, bully-t. Dhe pas një ngjarje të tillë dramatike, kushtet e jetesës ndryshuan kryekëput për të gjithë. Në krye erdhi dikush që e kishte më të theksuar ndjenjën e empatisë, që dinte të bënte kompromise.
Një akt i tillë nuk qe një rast i izoluar, shpjegoi prof. Waal. Kur ndodhte që edhe pasardhësi që vinte në krye nuk i kishte cilësitë e duhura, ekipi i primatologëve e dinte se po përgatitej vrasja rituale e radhës. Shimpanzetë do të vazhdonin luftën deri sa në krye të vinin ata individë që dora dorës do të përmirësonin jetën e komunitetit. Është e tepërt t’ju them se rrënjët e politikës janë më të vjetra se vetë shoqëria njerëzore, përfundoi ai. Traktati i Makiavelit mbi politikën ka të ngjarë të mos u mësojë shumë gjëra shimpanzeve tanë. Edhe intriga e thellë dhe tragjizmi i pjesëve të Shekspirit, nuk do t’i linte gojëhapur.
Në sallë ra heshtja. De Waal mbylli kompjuterin dhe rekomandoi disa numra të një reviste të njohur të primatologjisë dikujt që u interesua për analiza më të detajuara. Pastaj drejtoi dorën nga Alma, që ishte ngritur më këmbë, krejt e turbulluar nga sa kishte dëgjuar.
Mblodhi pëllëmbët para vetes, si për të fituar kohë të zgjidhte fjalët dhe shprehu kënaqësinë që kishte qenë e pranishme në atë leksion, madje ndihej e privilegjuar.
Profesori buzëqeshi dhe si për të inkurajuar i tha:
– Keni të drejtë të shprehni dyshimet dhe mosbesimin tuaj.
– Që të jem e sinqertë, – shtoi ajo, – duke ju dëgjuar m’u krijua një lloj imazhi ku nuk dalloja qartë kufijtë midis shoqërisë njerëzore dhe komunitetit të shimpazeve. Kjo më shtyn t`ju pyes nëse e keni ndjerë ndonjëherë rrezikun e rënies në antropomorfizm, në një lloj ngasjeje për t’u atribuar dhe njohur kafshëve atë çka është tamam e jona, e njerëzve?
Salla ra në heshtje. Edhe studentët e tjerë duket se kishin patur të njëjtin dyshim.
– Rrezikun e antropomorfizmit unë e shoh më tepër si një dëshirë të njerëzve për të parë veten në një piedestal më të lartë, – iu përgjigj ai. – Thënë shkurt si një dëshirë për të mohuar pjesën e kafshës brenda nesh.
– Atëherë a mund të thuhet se edhe veprimtaria, të themi politike e majmunëve është provë tjetër e prejardhjes sonë prej tyre? – pyeti Kloteska si duke qeshur.
– Ne nuk rrjedhim nga majmunët, – tha prof. Waal, duke e kërkuar me sy nëpër sallë, – ne jemi majmunë. Bashkë me ta, majmunët, njerëzit bëjnë pjesë në klasën e hominidëve. Më thjesht nuk bëhet.
Në sallë shpërthyen të qeshura, që u shoqëruan nga duartrokitje të gjata.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: