Ashtu siç u afrua, pa zhurmë dhe pa një prezantim zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit, në të njëjtën mënyrë është larguar drejtori teknik i FSHF-së, Xhankarlo Kamoleze.

“Panorama Sport” mëson se italiani e ka mbyllur bashkëpunimin me federatën dhe është larguar nga posti që mbante, për të vazhduar me planet e tij.

AFRIMI I KAMOLEZES – Ai u afrua me sugjerimin e trajnerit Edi Reja rreth 2 vite më parë, edhe pse është një njohje e vjetër e FSHF-së sepse ka qenë një ish-kandidat në të shkuarën për të marrë postin e trajnerit të Kombëtares pas largimit të Kristian Panuçit.
Pas ardhjes së Rejës, ai u projektua si drejtor teknik i FSHF-së dhe bisedimet me federatën zgjatën sepse Kamoleze kishte edhe angazhime të tjera në Koverçano.

Italiani gjithmonë shihej si një alternativë për stolin dhe si një trajner në hije.

PUNA – Kamoleze mori postin e drejtorit teknik pranë FSHF-së dhe kjo u konfirmua edhe nga presidenti Armand Duka në asamblenë e përgjithshme të zakonshme të qershorit 2021.

“Kemi afruar në drejtimin e departamentit teknik një nga emrat me reputacion të veçantë të futbollit europian, siç është Xhankarlo Kamoleze, i cili me eksperiencën e gjatë e te admirueshme do të ndikojë në mirorganizimin dhe efikasitetin e strukturave tona teknike, veçanërisht forcimin e sistemit të organizimit të ekipeve kombëtare dhe futbollit të bazës”, u shpreh Duka në atë kohë.

LARGIMI – Ndërkohë që detyra e tij ishte për të evidentuar sa më shumë talente kuqezi dhe për t’i afruar në ekipet zinxhirë të Kombëtares, ai u largua pa lënë asnjë gjurmë edhe pse u mor me bujë të madhe.

Ish-trajneri i Torinos dhe Rexhinës zhvilloi shumë seleksionime me përfaqësueset rajonale, ndërsa mësohet se Kamoleze është larguar nga ky post.

Në Itali ai mban postin e zëvendëspresidentit të Shoqatës së Trajnerëve Italianë të Futbollit dhe ndërkohë preferon të komentojë edhe ndeshje.

Ai është caktuar në koment në ndeshjen Zvicër-Spanjë që do të luhet më 9 qershor./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb