TIRANË

Sekretari organizativ, njëkohësisht deputeti i PS Arben Pëllumbi thotë se ftesa për bashkëpunim me opozitën nuk është ftesë për pazar.

Pëllumbi ka sqaruar në “Real Story” në News24 arsyet se përse maxhoranca i ka shtrirë dorën për bashkëpunim opozitën, dhe kjo sipas tij është që në vend të mos ketë një klimë konfliktuale që të pengojë të ardhmen europiane dhe ekonomike të vendit.

“Kjo pjesa e raporteve brenda opozitës na intereson pak. Janë kalkulimet e tyre politike. Njëra forcë është rritur në kurriz të tjetrës. Ne jemi forca fituese dhe jemi në mandatin tonë të tretë dhe që provohet për herë të parë në Shqipëri. Jemi duke u treguar të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për 4-vjeçarin që kemi përpara. Duke qenë se jemi në momente shumë të rëndësishme të vendit, qoftë për rrugën europiane, qoftë për investimet për të ardhmen ekonomike të vendit. Të gjithë e dimë që asnjëra nga këto rrugë nuk mund të përparojë me ritmin e duhur në rast se klima politike në vend është konfliktuale. Në këtë kuadër ne jemi duke parë mundësinë e një bashkëpunimi konstruktiv me opozitën në mënyrë që jo mos të kemi zë kundër por ta kemi në kuadër të institucioneve. Parimisht duhet të jemi dakord. Ne jemi në fazën ku nuk jemi ende dakord parimisht. A mund të shkojmë deri tek Presidenti i Republikës? Mund të shkojmë deri atje. Ftesa që i bëhet opozitës nuk është ftesë për pazar, po të ofrojmë postin e presidentit për të mos bërë zhurmë. Nuk është kaq banale. Dorashka u hodh para zgjedhjeve. Qëllimi i maxhorancës që në mandatin e tretë të mos kemi një klimë konfliktuale”, deklaroi Pëllumbi.

Ndërkohë gazetari Alfred Lela tha se është e çuditshme heshtja e opozitës për nismën e ndërmarrë nga maxhoranca për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
“Po ndodhin disa gjëra të çuditshme, heshtje në të dy kahet. Kemi zonjën Kryemadhi që nga raportet thuhet se është në Los Angeles. Pati një spicë për Bashën e pasuar me një heshtje disa javore. Nga zoti Basha s’kemi pasur asgjë, në raport me atë që maxhorancën e konsideron autore të masakrës zgjedhore.
Këtu është habia, pse është kjo heshtje nga zoti Basha. Po pret të fitojë zgjedhjet në parti që ta ndajë mendjen dhe të flasë apo do bëjë zgjedhjet në parti dhe për të pritur çdo sjellë parlamenti Gjykata Kushtetuese dhe shtatori”, deklaroi Lela.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb