Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e ka fuqinë për të ndryshuar formatin e samitit të G7-ës.

Trump pohoi të shtunën se do të shtynte samitin e planifikuar për këtë muaj dhe se do të ftonte edhe vende të tjera, përfshirë Rusinë, për të marrë pjesë në takim. Kujtojmë se Moska zyrtare u përjashtua nga grupi në vitin 2014, pasi ka aneksuar Krimenë nga Ukraina.

Borrell tha sot se Rusia nuk e ka ndryshuar qasjen e saj që prej 2014-ës, ndaj sipas tij nuk duhet të ripranohet.

“Privilegji i kryesuesit të G7-ës, në këtë rast i SHBA-së, është të bëjë ftesa për mysafirë. Ftesat për mysafirë pasqyrojnë përparësitë e nikoqirit. Por, ndryshimi i anëtarëve, ndryshimi i formatit në baza të përhershme, nuk është përparësi e kryesuesit”, tha Borrell. Udhëheqësit e G7-ës – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë – pritet të takohen përmes video-konferencës, pasi pandemia e koronavirusit i ka prishur planet për t’u takuar personalisht.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: