U bë një javë që kampionati i Superiores ka ulur siparin e tij. Te Bylisi janë në pritje të zyrtarizimit të verdikteve të garës.

Në Ballsh pritet të hapet merkatoja dhe skuadra duket se do të vijojë traditën e saj, duke u kthyer sërish në një “supermarket” për Superioren, por jo vetëm. Po t’u hedhësh një sy ekipeve të elitës, bie në sy fakti se pothuajse të gjitha kanë në gjirin e tyre lojtarë që kanë dalë ose janë afirmuar në Ballsh.

Dinamo është rasti më i freskët, por jo i vetmi. Mallakastriotët edhe këtë sezon kanë pasur në gjirin e tyre shumë cilësi, lojtarë me eksperiencë, por edhe të rinj të talentuar. Pikërisht këta të fundit kanë dominuar në Ballsh dhe kanë spikatur me paraqitjet e tyre. Klubi u ka ofruar kontrata afatgjata dhe pret që t’i shesë, ndërsa interesimi për ta është i madh, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Në ditët e para të muajit të ardhshëm priten lëvizjet e para në Mallakastër. Emra si Bruno, Marku, Pwrndreca, Koxhi, Stoilov, Ofori, Adeduro dhe Përgjoni kanë impresionuar jo pak. Në Ballsh nuk duan të nxitojnë, por të përfitojnë sa më shumë nga “xhevahirët” e tyre. Klubi ka investuar shumë tek akademia, te formimi i lojtarëve dhe te elementët që tashmë mund të shiten, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Edhe nëse largohen emrat e sipërpërmendur, Bylisi ka gati një tjetër skuadër që vjen nga poshtë dhe që përbëhet nga shumë elementë të spikatur të moshës 18-20 vjeç. Të rinj që, kudo të luajnë, si në Superiore ashtu edhe në Kategorinë e Parë, pritet të tregojnë vlerat e tyre, duke vijuar traditën e bukur të krijuar nga Bylisi. Akademia e Bylisit, funksionon në një mënyrë të ngjashme me akademitë jashtë vendit. Ajo përfshin lojtarë vendas, lojtarë nga rajoni, por edhe të huaj, të cilët janë të akomoduar dhe trajtohen në mënyrë profesionale në qytetin naftëtar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb