Erdenis Gurishta vijon të ketë ende një gjend je jo të mirë shëndetësore pas përplasjes që pati të shtunën në minutat shtesë me Nimanin në takimin Vllaznia-Laçi. Megjithatë, lajmi i mirë ka ardhur në orët e para të ditës së djeshme nga spitali rajonal i qytetit të Shkodrës, ku mësohet se mbrojtësi i Vllaznisë është jashtë rrezikut për jetën. 20-vjeçari vijon i shtruar në spitalin e Shkodrës që në orën 15:30 të ditës së shtunë, në dhomën e reanimacionit.

Trauma e marrë u duk se do të kalonte shpejt, por pas ndihmës së dhënë nga stafi mjekësor në fushë, u kërkua me urgjencë dërgimi i tij në spital. Për orë të tëra lojtari ka qëndruar në gjendje kome dhe vetëm në orët e para të mëngjesit ka nisur të flasë disa fjalë, por jo të qarta.

Fjalët e para-Mësohet se pasi është përmendur plotësisht, pyetja e parë që ka bërë ka qenë ndaj vëllait të tij, ku ka kërkuar të dinte se sa mbaroi ndeshja. Lojtari dhe familjarët i kanë përshëndetur të gjithë ata që i mbështetën në këtë “luftë” që lojtari zhvilloi me jetën. Reagimi i tij i parë ka ardhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, rreth orës 04:00. “Ka qenë reagimi që të gjithë po prisnim me aq padurim”, janë shprehur miq e familjarë të Gurishtës, të gjendur aty pranë në ato momente. Situata- E diela ka qenë një ditë terapie intensive për Gurishtën.

Brenda luftohej për të kthyer në normalitet gjendjen e lojtarit, ndërsa jashtë ambienteve të spitalit familjarë e miq të familjes Gurishta kanë qenë të panumërt. Brenda sallës së reanimacionit ka qenë e pamundur që të futej, kështu që njerëzit kanë pasur mundësi që ta shikojnë vetëm nga larg, duke e përshëndetur në distancë. Mjekët janë munduar që ta mbajnë lojtarin larg njerëzve dhe për më tepër emocioneve që mund të krijoheshin. Pavarësisht reagimit të mbrojtësit shkodran, mjekët e spitalit të Shkodrës kanë kërkuar që Erdenisi të mos dalë nga spitali të paktën deri ditën e hënë. Ata po shikojnë me kujdes situatën nga minuta në minutë për të vendosur se çfarë vendimi do të ndërmerret për të.

Mjekët po shikojnë mundësinë e transportimit të tij në Tiranë, për një mjekim më të specializuar.
Përveç mjekëve të specializuar të qytetit verior, pranë lojtarit po qëndron edhe fizioterapisti i ekipit, Ilirian Haxhaja. Ai ka bërë vetëm disa orë pushim gjatë paradites dhe menjëherë pasdite ka qenë pranë futbollistit. Ai është një nga personat që ka ndjekur hap pas hapi gjendjen e lojtarit. “Mund të them se është një gjendje e stabilizuar që në orën 04:00, kur edhe ka dalë nga koma. Parametrat janë të mirë, frymë- marrja është e mirë dhe tani është natyrale jo më me oksigjen.

Tensioni është normal, 75 me 125, frekuencat kardiake janë të mira, gjë që tregon përmirësimin e dukshëm. Megjithatë, problem është se këmba e djathtë, që nuk po reagon mirë, është më dembele. Shpresojmë dhe besojmë që shumë shpejt edhe ajo të fillojë reagimin. Reagimet e para i ka dhënë, por në orët në vijim presim edhe reagimet e plota. Të gjithë mjekët e spitalit, pa asnjë përjashtim, kanë dhënë maksimumin tyre për Gurishtën. Pas një konsulte më të gjerë të mjekëve, do të vendoset se çfarë do të bëhet në vazhdim. Premisat janë për mirë, shpresoj që të vazhdojnë kështu”, ka thënë në emër të mjekëve fizioterapisti i Vllaznisë, Ilirian Haxhaja./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: