Janë shtuar rastet kur qytetarët rusë, dhe jo qytetarët të thjeshtë por edhe personazhe të njohur, janë deklaruar hapur kundër agresionit rus në Ukrainë.

Së fundmi, një futbolliste ruse është shprehur kundër luftës, duke thënë se nuk mund ta shikojë këtë ngjarje çnjerëzore dhe të heshtë.

Nadya Karpova, një anëtare e ekipit rus të femrave dhe sulmuese e Espanyolit në Spanjë, është një nga të paktët sportistë rusë që ka dalë publikisht kundër asaj që Moska e quan “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë.

“Presidenti rus Vladimir Putin na mori gjithçka, ai mori të ardhmen tonë. Në të njëjtën kohë, ai e bëri këtë me pëlqimin tonë të heshtur. Ata [qeveria] nuk dëshmuan rezistencë të fortë. Shumica e njerëzve thjesht po mbyllnin sytë ndaj padrejtësisë, duke menduar se nuk ishte puna e tyre”, tha Karpova në një intervistë me BBC në Barcelonë.

Ajo tha se njerëzit në Rusi që justifikojnë luftën në Ukrainë janë peng të propagandës dhe se ndjen keqardhje për ta.

“Unë besoj se duhet të bëjmë gjithçka për t’i çliruar nga kjo. Uroj që gjithnjë e më shumë rusë, edhe atletët rusë, të flasin hapur në mënyrë që njerëzit e tjerë që janë kundër luftës ta dinë se ata nuk janë pakicë. Nuk mund të pretendosh se asgjë nuk po ndodh. Koha e heshtjes duhet të përfundojë.

Kjo qeveri do të ikë një ditë, janë të gjithë të vjetër. Kur kjo të ndodhë, ne do të jemi ende gjallë dhe duhet të jemi gati të zgjidhim gjithçka. Shpresoj se do të ndodhë shumë shpejt”, ka shtuar ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb