Kadidati për kryetar i Partisë Demokratike, Agron Shehaj zhvilloi në qytetin e Sarandës takimin me demokratët për garën së 13 qershorit. Gjatë fjalës së tij, Shehaj iu është drejtuar anëtarëve të kësaj dege me nevojën për ndryshim të kësaj force politike, pas zgjedhjeve të 25 prillit. “Po nuk ndryshuam Partinë Demokratike, ne nuk fitojmë dot”, deklaroi ai. Shehaj e nisi fjalën e tij duke falenderuar demokratët e Sarandës për mbështetjen që i dhanë në 2017-tën. “Faleminderit për interesimin, të them të drejtën këtu, jam si në shtëpinë time. Hodha hapat e parë në politikë. Sepse pavarësisht se çfarë thonë, por qarku ynë në 2017 ka rritur votat me 8%. Ka qenë i vetmi qark ku ka pasur rritje në numrin e votave, ky është fakt”- tha ai.

Duke folur për zgjedhjet brenda partisë kandidati për kryetar vuri theksin tek nevoja për analizë brenda partisë se çfarë duhej të bëhej më mirë për të arritur fitoren. “Unë do kisha dashur që pas zgjedhjeve të 25 prillit të mos futeshim direkt në garë menjëherë, po të flisnim njëherë të kuptonim çfarë mund të kishim bërë më mirë. Sepse duam s’duam duhet ta shohim të vërtetën në sy. Nuk mund të vazhdojmë duke gënyer veten. Fatkeqësisht zgjedhjet e 25 prillit i humbëm, nuk fituam dot, nuk vajtëm dot në pushtet. Qëndrimi i lidershipit që ne fituam, po u vodhën zgjedhjet… Sepse ka patur blerje masive të votës, që është e vërtetë në fakt. Dhe këto duhen hetuar dhe dënuar nga drejtësia. Por ne këtë rezultat nuk e ndryshojmë dot. E para, dhe e dyta ne mund të kishim bërë më shumë dhe duhet të kishim bërë më shumë. Të jemi të qartë nese ne mendojmë që e vetmja arsye pse humbëm zgjedhjet është sepse Rama bleu masivisht votat, atëherë s’kemi nevojë të bëjmë asgjë brenda vetes dhe s’kemi pse të futemi në parlament. Po ne duhet të mbushim sheshet dhe duhet t’u bëjmë thirrje njerëzve o burra të rrëzojmë Ramën me dhunë. S’mund të futemi në zgjedhjet e ardhshme nëse jemi të bindur se arsyeja e vetme që humbëm është se Rama bleu votat në mënyrë masive. Por, unë mendoj se ne duhet të kishim bërë më shumë që të fitonim zgjedhjet. Është e lehtë për lidershipin që të thotë nuk humbëm se në fakt jeta e përditshme e pjesës më të madhe që qëndron lart në Partinë Demokratike nuk humbet kushedi se çfarë. Ata që e vuajnë humbjen në jetën e përditshme janë demokratët e thjeshtë, janë demokratët e thjeshtë që mbeten pa punë, pa shpresë, pa mundësi dhe do të vuaknë varfërinë për shkak të qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës dhe e vetmja mundësi që kanë është të lënë Shqipërinë dhe të ikin jashtë”- u shpreh kandidati për kryetar i PD-së.

Ai vuri theksin tek platforma e tij për ndryshimin rrënjësor të partisë duke e deleguar pushtetin e vendimarrjen në duart e anëtarësisë.

“Unë jam i bindur që po nuk ndryshuam nuk mund të fitojmë. Prandaj jam futur në garë për kreun e Partisë Demokratike. Unë kam ardhur për të folur me ju. Dua më shumë të dëgjoj mendimet tuaja. Për mendimin tim fitorja kalon nga përfshirja e anëtarësisë. Anëtarësia duhet të vendosë për lidershipin e partisë, duke votuar kë do dhe jo duke u pyetur kë nuk do sepse ka pasur kandidatë që kanë marrë me qindra vota kundër nga anëtarësia dhe prapë janë futur në listat e kandidatëve për deputetë. Anëtarësia duhet pyetur pikërisht duke nisur nga lista e kandidatëve për deputetë, ata që marrin më shumë vota aq më lart renditen në listë. Në thelb dua t’i qëndroj meritokracisë brenda PD-së dhe hapjen e partisë për të afruar njerëz të aftë dhe të zotë. Duhet të jemi të besueshëm për qytetarët dhe me anëtarët e partisë”.
Agron Shehaj i ftoi demokratët që të votojnë më 13 qershor, jo duke e menduar si garë mes emrave, por si mundësi për të zgjedhur nëse do të rrinë në opozitë të gjatë apo do të zgjedhin të ndryshojnë për të shkuar drejt fitores së pushtetit.

“Më 13 qershor ne nuk vendosim thjesht për kryetarin e PD-së, por vendosim ndërmjet humbjes së sigurtë, fatkeqësisht, do doja shumë ta kisha gabim, dhe të fitores. Do doja të vendosnit për ndryshimin e lidershipit që nesër të kemi mundësi të rrëzojmë Edi Ramën. Partia Demokratike ka nevojë (gjithashtu) për një organizim shumë më të mirë. Ka nevojë të ketë sisteme moderne të organizimit,të bazuara mbi delegimin, mbi ndarjen e përgjegjësive. Mbi vlerësimin e drejtë të kontributeve dhe rezultateve. Partia Demokratike ka nevojë mbi të gjitha të jetë demokratike. Se vetëm kështu mund të tërheqë njerëzit më të aftë dhe më të zotë që pastaj të sjellin vota për Partinë Demokratike. Besueshmëria e Partisë Demokratike gjëja më e rëndësishme për të rritur shanset e Partisë Demokratike për të fituar!”- tha ai.

Gjatë takimit pati pyetje nga anëtarësia për kandidatin për kryetar të PD-së.

Pyetje: Jam dakord me ju se që të fitojmë duhet të ndryshojë PD-ja. Unë ia kam thënë edhe zotit Basha këtu, unë nuk janë anëtar i PD-së, nuk jam sepse rrjedh nga një familje e persekutuar si juve dhe jam i bindur që PD që në fillesat e saj e ka nisur gabim dhe pastaj gabimet janë shtuar në vite dhe fatkeqësia është se njerëzit afrohen në partitë politike, zoti Agron, për të përfituar. Jam dakord me juve që duhet ndryshuar PD-ja që njerëzit të kenë besim për të luftuar komunizmin. Që ta ndryshojmë PD-në duhet ndryshuar ashtu, siç thoni ju, duke filluar nga baza, por dhe nga ata që komandojnë. Ata duhet ta kuptojnë se partitë politike krijohen në bazë vullnetare, janë organizata jofitimprurëse. Këtu futen në parti për t’u bërë drejtora, për të përfituar. Nëse ju e ndryshoni këtë, zoti Agron, unë ju mbështes, po të mbani fjalën. Dhe nëse fitoni të vazhdoni atë që keni nisur, luftën ndaj komunizmit në Shqipëri sepse jam i bindur dhe besoj jeni i bindur edhe ju që nëse do të ketë edhe një njeri akoma që beson në ideologjinë komuniste atëherë për Shqipërinë do vijë fundi.
Shehaj: Shumë faleminderit. Absolutisht PD-ja duhet të ndryshojë sepse duhet të bëhemi më të besueshëm. Ka shumë si ju që janë të bindur që PD s’ka bërë mjaftueshëm edhe për shtresën e të persekutuarve. Unë jam i bindur që nuk ka bërë mjaftueshëm, kur pritshmëria është shumë e madhe. Mos të harrojmë që PD ka pasur një rol të jashtëzakonshëm dhe të patjetërsueshëm në ndryshimin e sistemit dhe në hedhjen e hapave në drejtimin perëndimor të Shqipërisë. Duhet të ishte bërë më shumë. Kjo është arsyeja pse unë them që PD duhet të ndryshojë. Nuk është ashtu siç thonë disa, të cilët thonë ky është përçarës, sepse në historinë e partisë ka ndodhur që shumë veta kanë ikur e pastaj janë kthyer për të marrë diçka. Por ndryshimi ka të bëjë me besimin. Të fitojë besimin e shqiptarëve, jo vetëm të anëtarësisë, apo vetëm të shtresës së persekutuarve politikë, por besimin e gjithë njerëzve që të kuptojnë se politika u shërben atyre. Nëse fitojmë këtë besim PD-ja do të bëhet parti e parë në Shqipëri dhe të mos ketë nevojë për askënd për të ardhur në pushtet. Për shumë kënd duket e pamundur, por për mua është e mundur.

Pyetje: Zoti Agron të uroj suksese. Kam vite në PD dhe jam dakord që PD-ja si partia e dytë më e madhe në vend duhet të bëhet demokratike. Po si do i fitosh ti zgjedhjet kur nuk ke komisionerë, nuk ke listat e partisë, si mund ta mundësh ti Edi Ramën kur e ke shumë të vështirë me pushtetin brenda PD-së?
Unë mund ta fitoj këtë garë me votën e anëtarëve. Jam i bindur që anëtarët e kanë kuptuar që kështu nuk mund të vazhdohet më dhe jam i bindur që po votuan anëtarët mund t’i fitoj këto zgjedhje. Nëse anëtarët duan ndryshim unë do ta fitoj këtë garë. Po sidoqoftë unë po punoj për Partinë Demokratike, kam punuar si kandidat për deputet për PD-në dhe do vazhdoj të punoj për PD-në edhe duke u futur në këtë garë sepse besoj se gara i duhet Partisë Demokratike.
Pyetje: Jam me profesion mësues, i papunë që në vitin 2015 nga segmente të caktuara të partisë e LSI-së në bashkëpunim me qeverinë aktuale. Do të jem shumë i sinqertë ndaj jush siç kam qenë ndaj zotit Basha në 2016-ën dhe ato gjëra që i kam thënë atij atëherë do tu them dhe juve. Unë jam anëtar i PD-së dhe e ne e kemi ndjerë peshën e shtypjes dyfish nga pushteti dhe nga lidershipi i jonë. Jemi përjashtuar që nga listat e thjeshta të kandidatëve për deputetë. PD në Sarandë është goditur shumë, ajka e intelektualëve janë larguar dhe afrohen vetëm kur ka fushata. Partia duhet ndihmuar që të nxjerrë në pah njerëzit me vlera. Ju admiroj për guximin, sepse jeni njeri i ri dhe jam prekur kur kam parë atë foton tuaj me dy gishta duke ecur me tren për në Veri të Italisë. Kjo tregon që jeni njeri me vlera, jeni shtypur nga regjimi komunist, dhe besoj se jeni njeriu i duhur për të drejtuar këtë parti, por dhe për ndryshimin e pushtetit në Shqipëri. Po a do të mundeni dot? Vështirësia juaj është e madhe sepse jeni në një sfidë të madhe, sepse jeni i pari dhe përballë keni 58 të tjerë, si do të përballeni me ata (deputetët e PD-së) kur të fitoni?
Shehaj: Unë kam besim te demokratët, që ata do të bëjnë zgjedhjen e duhur. Nëse nuk ia dal do të vazhdoj të punoj për Partinë Demokratike. Mund të ketë shumë kolegë të mi që e gjykojnë kandidimin tim në dëm të PD-së apo kryetarit aktual, por secili ka bindjet e veta, unë besoj se gara e forcon partinë. Unë nuk e kam garë për një post, por kam bindjet e mia, kam idetë e mia dhe kam vizionin tim se si duhen bërë gjërat. Unë them që garë duhet të ketë edhe brenda kryesisë. Vetëm në regjime nuk ka garë, në regjime ai që mendon ndryshe shpallet armik. Vetëm autokratët janë kundër garës, thonë të mos bëjmë garë se përçahet partia, kush del kundër është tradhëtar i kombit.
Pyetje: Siç thoni ju është e domosdoshme meritokracia dhe zgjedhjet brenda partisë. Pyetja ime është kjo: nëse ju fitoni dhe jeni kryetar i partisë më datë 14 qershor a do të kërkoni ju hapjen e listave 100 për qind?
Shehaj: Absolutish po. Ashtu siç do të kërkoj hapjen e listave parlamentare do të kërkoj dhe hapjen 100 për qind të listave brenda Partisë Demokratike. Vetëm kështu bëhemi të besueshëm. Një parti duhet të jetë meritokratike dhe të mos i trembet garës. Të mos u thotë kandidatëve të vet nga njëra anë jemi për lista të hapura dhe u ankuan pse nuk u hapën 100 përqind dhe nga ana tjetër tu themi kandidatëve mos punoni për vete, a thua se votat që unë mora i mora për vete, jo që ia shtova Partisë Demokratike. Nëse të gjithë kandidatët e Tiranës do të kishim marrë votat që mora unë ose do të ishin afruar do të ishim në pushtet sot. Ne duhet tu themi kandidatëve tanë që sa më shumë vota merrni aq më shumë do të vlerësoheni, dhe jo sa më shumë vota merrni do të ndëshkoheni. Ju e dini çfarë sakrificash keni bërë në këtë opozitë të gjatë. Ju e dini se shumë kandidatë u detyruan të punonin fshehurazi për votat e tyre dhe në këtë mënyrë ulim dhe dinjitetin e kandidatëve. Deputetët duhet të jenë më afër anëtarësisë. Nëse anëtarësia do të ketë në dorë të vendosë nëse do të kandidohet sërish apo jo deputeti do të qëndrojë aty tek anëtarësia, po nëse deputeti e di shumë mirë se vendoset nëse do të jetë në listë apo jo në Tiranë, s’ka nevojë të rrijë këtu, ai do të rrijë atje në Tiranë tek parkingu i PD-së që sa herë të kalojë ta shikojë. Kjo e bën diferencën.Nëse duam që përfaqësuesit e PD-së të jenë afër anëtarësisë duheti t’i japim pushtetin anëtarësisë. Votimi i anëtarësisë është thelbësor në përzgjedhjen e më të mirëve dhe rritjen e shanseve për të rrëzuar Edi Ramës.
Pyetje: I përkas shtresës së ish-pronarëve, çfarë do të bëhet me shtresën tonë? S’kemi as dy metra katror as për varr. Çfarë do të bëhet me ne?
Shehaj: Çështja e pronave është e rëndësishme. Kur më ka pyetur Çani çfarë do të bëje gjënë e parë nëse do zgjidheshe kryeministër. Dhe unë i kam thënë; do të zgjidhja çështjen e pronave. Nga të dy prindërit jam ish-pronar, por s’kam marrë asgjë dhe e kam nisur nga fillimi. Çështja e pronave ka të bëjë në radhë të parë më drejtësinë dhe në radhë të dytë me ekonominë. Po nuk u zgjidh çështja e pronave nuk mund të ketë investime, nuk mund të ketë zhvillim. Do të vazhdojnë të ecin përpara vetëm ata që e kanë mirë me pushtetin.
Pyetje: PD-ja ka bërë disa lëvizje për të rrëzuar Ramën. Një herë ishte koha e çadrës, Republika e re, dhe ne vinim nga ana e anës, shumica me bukë me vete, dhe vinim flinim në bulevard. Por u futëm në zgjedhje dhe në zgjedhje qarkulloi lajmi që do bëjmë aleancë me PS-në. Në atë kohë e kam pyetur zotin Basha dhe më tha; kjo është përgjegjësia ime. Lëvizja e dytë ishte ajo e Astirit, ku ju zbuluat aferën, që kjo minorancë po e shemb vendin. Edhe në këtë periudhë erdhëm të gjithë nga ana e anës për të shembur atë regjim. Por dhe në këtë pikë zoti Basha doli e tha duhet të vini në protestë me fëmijë dhe lule me vete. Do i rrëzonim kriminelët me fëmijë dhe me lule… Pyetja ime është çfarë mendimi ke për këtë veprim të zotit Basha dhe si do e rrëzosh ti këtë minorancë që po udhëheq vendin?
Shehaj:Kemi qenë dëshmitarë dhe kemi qenë pjesë dhe ju keni bërë sakrifica të mëdha dhe keni qëndruar nga pas për të gjitha iniciativat që kemi marrë si opozitë. Me qindra herë Lulzim Basha u ka thënë që do e rrëzojmë Edi Ramën me protesta apo herë tjetër me bojkot dhe nuk ia doli. E vërteta është se nuk ia doli. Ishte e drejta e tij që të vendoste strategjitë se si do ta rrëzonte Edi Ramën dhe nuk ia doli dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Unë mendoj se lideri ka të drejtë të vendosë, unë nuk do të kisha vendosur në atë mënyrë, as në formë e as në përmbajtje, por tani është detyrimi i tij të mbaj përgjegjësitë. Tani duhet të sillemi si në parti demokratike, një lider që humbet zgjedhjet duhet të largohet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb