Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj, i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me fushatën elektorale në kryeqytet dhe betejën mes kandidatëve.

Shehaj deklaroi se fushata e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi është fokusuar te problemet kryesore të qytetarëve si kostoja e jetesës dhe ndotja, të cilat sipas tij do të ulen me propozimin e transportit publik falas.

Sakaq, ai komentoi edhe propozimin tjetër të fushatës së Këlliçit, atë të nënkalimit nën sheshin Skënderbej, duke thënë se kostoja është tërësisht e përballueshme.

Ai tha më tej se nëse merren si referencë kostot që publikon mazhoranca nuk bëhet asgjë në vend, pasi sipas tij kjo ka ndodhur me rrugët ku kostoja del 10 herë më e lartë.

“Problemet kryesore të qytetarëve të Tiranës kanë shqetësim ndotjen dhe koston e jetesës, këtu është fokusuar edhe fushata e kandidatit tonë. Propozimet e Belindit mund të diskutohen, si për shembull urbanët falas, por propozimet tona janë të realizueshme. E njëjta gjë vlen për propozimet e tjera të Këlliçit.

Premtimet tona duken shumë të bukura sepse kryetari aktual nuk ka bërë asgjë. Cilësia e urbanëve është skandaloze. Propozimi për urbanët falas është edhe për ndotjen e qytetit. Këlliçi dallon nga Erion Veliaj pasi ky i fundit paratë e urbanëve falas kërkon t’i çojë te inceneratorët për shembull apo diçka tjetër, është çështje prioritetesh.

Këlliçi ka një program, nuk është akuzuar apo është përfolur ndonjëherë për korrupsion apo vepra të tjera. Fushata e Belindit është perëndimore, përqendrohet te problemet konkrete të qytetarëve. Veliaj nuk ka folur një herë për problemet e jetesës së qytetarëve, është mburrur se është rritur çmimi i apartamenteve, absurde. Këto janë broçkulla, me rritjen e çmimeve rriten edhe taksat. Ashtu si ndodh me naftën, qytetarët e vuajnë rritjen e çmimeve. Nëse fiton Erion Veliaj në Tiranë nuk ndryshon asgjë.

Kostoja e realizimit të nënkalimit në sheshin Skënderbej është totalisht e përballueshme. Po të marrësh si referencë kostot që nxjerr mazhoranca nuk bëhet asgjë. Kjo ka ndodhur me rrugët, del kostoja 10 herë më e lartë”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb