Garda Revolucionare e Iranit ka lëshuar një paralajmërim të fortë për të gjitha anijet që synojnë të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke deklaruar se çdo tranzit duhet të kryhet vetëm me autorizimin e autoriteteve iraniane.
Në një deklaratë zyrtare, korpusi elitar ushtarak theksoi se “e vetmja rrugë e autorizuar për tranzit përmes Hormuzit është ajo e shpallur nga Republika Islamike e Iranit”, ndërsa çdo kalim pa leje u cilësua si “i papranueshëm dhe i rrezikshëm”. Sipas Gardës Revolucionare, ndaj anijeve që nuk respektojnë këtë rregull do të merren “masa të përshtatshme”.
Çështja e së ardhmes së Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për tregtinë dhe transportin e energjisë në botë, mbetet një pikë e ndjeshme në negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit. Irani e ka mbajtur të bllokuar këtë rrugë strategjike që nga shpërthimi i konfliktit më 28 shkurt.
Sipas raportimeve, autoritetet iraniane po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së tarifave për kalimin e anijeve përmes ngushticës, një praktikë që nuk aplikohej para nisjes së luftës. Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë këtë ide, duke argumentuar se Hormuzi është një rrugë detare ndërkombëtare dhe se liria e lundrimit duhet të garantohet.
Protokolli i marrëveshjes së nënshkruar mes Teheranit dhe Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit parashikon që anijet tregtare të mund të kalojnë pa tarifa për një periudhë 60-ditore, ndërsa Irani angazhohet të marrë masa për të garantuar sigurinë e tranzitit.
Ndërkohë, Irani dhe Omani kanë bërë të ditur se do të shqyrtojnë vlerën e mundshme të tarifave që mund të aplikohen për shërbimet e lidhura me menaxhimin dhe administrimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit.
