TIRANË- Garda e Republikës i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha pas një fotoje të publikuar sot, ku aludonte se ishin gardistë të kryeministrit Edi Rama që ruanin banesën e tij në Surrel. Në foton e publikuar nga Berisha, shfaqeshin tre persona që hanin më këmbë bukë me domate, djath e salsiçe.

“Ja kushtet çnjerëzore, mensa e batalionit prej 350 gardistësh që ruajnë Sarajet ultra luksoze të Noriegës në Surrel”, shkruante Berisha.

Berisha fb

Por Garda duke iu drejtuar me titullin nderi “shkëlqesi” ish-kryeministrit i kujton se po shërbehet ende sot me përkushtim të plotë dhe se personat në foto janë emigrantë. Sipas Gardës së Republikës fotoja nuk është bërë në Shqipëri, duke ofruar si provë edhe gjeneralitetet e personave në të.

REAGIM I GARDËS SË REPUBLIKËS
Garda e Republikës shpreh keqardhjen më të thellë për një sulm publik kundër saj, i cili cenon imazhin, integritetin dhe dinjitetin e kësaj trupe në shërbim të autoriteteve shtetërore e të garantimit të sigurisë së aktiviteteve të tyre.

Ky institucion që qysh prej krijimit të vet e kryen veprimtarinë në kushte jo të lehta, ndjehet edhe më i keqardhur për faktin se është sulmuar përsëri publikisht, nga një ish-kryeministër, të cilit i ka shërbyer dhe vazhdon t’i shërbejë me përkushtimin më të plotë.

Sqarojmë opinionin publik dhe vetë shkëlqesinë e tij, zotin Sali Berisha, se fotoja e propaganduar sot prej tij në Kuvendin e Shqipërisë, si pjesë e veprimtarisë së Gardës së Republikës, nuk ka asnjë lidhje me Gardën e Republikës dhe as me zonën e banimit e kryeministrit aktual të Shqipërisë. Po ashtu personat në foto nuk janë punonjës të Gardës së Republikës.

Në bazë të verifikimeve të bëra prej institucionit tonë, rezulton se jo vetëm kjo foto nuk ka lidhje me Gardën e Republikës, po nuk ka lidhje as me Shqipërinë. Fotoja është bërë në një province të Italisë dhe institucioni ynë disponon edhe gjeneralitetet e personave në foto, të cilët janë emigrantë shqiptarë në Itali.

Duke i kërkuar publikuesit dhe komentuesit të fotos, shkëlqesisë së tij zotit Sali Berisha, që të tregoje respekt për Gardën e Republikës dhe të mos e përfshijë këtë institucion në vorbullën e luftës politike, mbetemi në dispozicion të zotërisë për çdo verifikim të nevojshëm përpara sesa të bëhemi objekt i sulmeve politike mbi bazë shpifjesh.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb