NGA: ORNELA MANJANI*
Tregtarët e gazit nuk zbatojë kushtet e sig urisë. Kjo është pranuar nga zëvendësministri Ilir Bejtja, i cili ishte dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. “Sot gazi shitet nëpër ushqimore, në fshat apo kudo, apo në një pikë karburanti, pra nuk ka një standard tregtimi. Nuk ka instruktim për personat që e kryejnë biznesin se në çfarë kushtesh dhe rregullash duhet ta bëjnë këtë biznes”, – tha Bejtja. Madje për numrin dy të dikasterit të Energjisë, rregullat për tregtimin dhe përdorimin e gazit janë brenda standardeve të vendeve të tjera, por problem është zbatimi i tyre. “Rregullorja mund të ketë nevojë për përmirësime, por është e bazuar në të gjitha standardet dhe direktivat që ka sot bota për përdorimin e gazit. Çështja shpesh lidhet me detyrimin e zbatimit të rregullave e të ligjit. Ne do të punojmë edhe në aktet nënligjore që bëjnë të detyrueshme rregullat për përdorimin e gazit. Pra rregullat janë, por nuk zbatohen”.

KOMISIONI
Gjatë shqyrtimit në Kuvend të ligjit të ri për pajisjet nën presion, deputetët e mazhorancës kërkuan që pas miratimit të këtij ligji, të nisë një aksion i ngjashëm si ai i energjisë, për të luftuar informalitetin në këtë treg si dhe për të ofruar më shumë siguri për qytetarët. “Për sigurinë publike është e domosdoshme që të fillojë një aksion masiv, penalizues, për të bllokuar dhe për të bërë çdo subjekt apo individ që guxon të tregtojë gaz me bombola jashtë kushteve të sigurisë teknike”, – deklaroi Eduart Shalsi. Ministria e Energjisë ka sjellë në Kuvend për miratim ligjin, i cili në thelb rregullon licencimin, tregtimin e gazit si dhe instalimin e bombolave. Pas miratimit të ligjit, qeveria do të përcaktojë me VKM të gjitha rregullat, deri në pronësinë e bombolës dhe detyrimin e pronarit për ta ndjekur rrugën e saj deri te konsumatori.

PROJEKTLIGJI
Në projektligjin që është diskutuar dje në Kuvend, janë parashikuar edhe masat e gjobës për çdo shkelës të sigurisë në tregtimin e gazit. Gjobat variojnë nga 50 mijë lekë deri në 500 mijë lekë. Në draft është parashikuar që operatori ekonomik përgjegjës, që vë në shfrytëzim pajisjen nën presion, duhet të marrë masa që të sigurojë jetën dhe shëndetin e punëmarrësve, gjatë shfrytëzimit të pajisjeve nën presion, në përputhje me legjislacionin përkatës për sigurinë në punë të punëmarrësve, dhe të vendosë në përdorim pajisje/bashkësi nën presion që plotësojnë kërkesat thelbësore të sigurisë, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin përkatës në fuqi.

Sipas draftit, operatori ekonomik përgjegjës harton, duke vlerësuar shkallën e rrezikut, një dokument vlerësimi dhe parandalimi të rrezikut, që përmban masa me karakter teknik e organizativ, të cilat duhet të zbatohen prej punëmarrësve dhe operuesve të pajisjeve/ bashkësive nën presion, në përputhje me rregullin teknik përkatës dhe kushtet specifike të vendeve të punës së veprimtarisë. Gjithashtu, drafti përcakton që operatori ekonomik ka përgjegjësi që, në çdo rast, përdorimi i pajisjeve/bashkësive nën presion të bëhet nga punëmarrës që ka përgatitje të dokumentuar me dëshmi aftësie, e cila lëshohet nga një organ i miratuar nga ministri, i akredituar për certifikimin e personelit që kryen punë me pajisje/bashkësi nën presion.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: