Në një takim me të rinjtë në Gramsh, Drejtuesi Politik i PD për qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi, deklaroi se ky qytet mikpritës dhe me njerëz të ndershëm e punëtorë, do të jetë ndëshkuesi më i madh i politikës arrogante, shpërfillëse dhe që i ka trajtuar banorët aty si të mirëqënë, që i ka në xhep sa herë u duhen votat.

Bardhi po ashtu, ka thënë se edhe pse Gramshi ka qënë në vite bastion i PS, është qyteti më i braktisur dhe me më pak investime në gjithë Qarkun.

Për këtë arsye, ai u bëri të ditur të rinjve se ka vendosur të jetë vetë direkt përfaqësues i kësaj zonë.
“Jam i sigurtë se në këto 8 vite ju keni ndjerë trishtim nga vuajtjet e vështirësitë e prindërve tuaj. Dhe besoj se kjo është arsyeja pse jeni bashkuar për të qënë krah nesh në këtë fushatë e për të qënë po krah nesh edhe pas 25 prillit, për të bërë realitet ndryshimin në Gramsh. Entuziasmi juaj tregon se Gramshi nga bastion i PS do të kthehet në ndëshkuesin e tyre të madh.
Kam vendosur ta kem vetë nën përgjegjësi politike direkte Gramshin, për faktin se gjatë turit dhe takimeve që kam pasur në gjithë qarkun e Elbasanit, kam konstatuar se është qyteti që është lënë më shumë në harresë në këto 8 vite. Dhe arsyeja kryesore është se qeveria juve, të rinjtë dhe prindërit tuaj, ju kam marrë për të mirëqënë, ju ka trajtuar sikur ju ka në xhep dhe se mund të mbushni kutitë e tyre të votave me një të rënë të bilbilit.
Por edhe më parë, dhe sot, unë kam vënë re se ju dhe Gramshi keni një mesazh. Dhe mesazhi është që Gramshi ngre krye, kur mashtrohet nga politika arrogante që mendon vetëm për veten”, u shpreh Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb