Drejtuesi politik i Partisë Demokratike, për qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi, ka vizituar këtë të mërkurë disa fshatra të qytetit, të cilat sipas tij, kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme të qeverisë. Sipas Bardhit, në këto dy fshatra, ka nevojë për investime në rrugë, ujësjellësa, kanalizime, vaditje dhe subvencionime për bujqësinë dhe blegtorinë.

Ndër të tjera, Bardhi tha se PD pas 25 prillit, do të rishikojë ndarjen territoriale si dhe do të bëjë korrigjimet e duhura, pasi sipas numrit 2 të Partisë Demokratike, janë shumë ish-komuna dhe fshatra që nuk marrin asnjë shpërblim.

“Ne do ta zhbëjmë Reformën Territoriale, nuk ka nevojë për 450 njësi administrative sa ç’ishin para 2015-ës, por 120 deri në 150 njësi administrative Shqipëria ka nevojë. Do të tentojmë ta bëjmë me ligj dhe na duhen 84 mandate”, u shpreh Bardhi.

Bardhi u shpreh më tej se program i PD parashikon subvencionim për bujqësinë dhe blegtorinë, sipas dynymëve dhe krerëve të bagëtive, dhe vetëm me kartën e identitetit, duke hequr burokracitë e pengesat që ka vënë qeveria.

“Përqendrimi ynë është të nxjerrim fshatin nga mjerimi, sepse po nxorëm fshatin nga mjerimi kemi nxjerrë 50% të popullsisë. Braktisja ka ardhur prej dy faktorësh, e para, i konsiderojnë njerëzit si dele, i varfërojnë me idenë që të vijnë t’i blejnë ditën e votimit. Prandaj e kanë braktisur fshatin dhe Elbasanin për tetë vite dhe e dyta bënë Reformën Territoriale me idenë që do kishin më shumë mundësi për investime, ju vunë disa taksa shtesë, ju mbytën me gjoba. Ju rrisin taksat dhe i çojnë tek Bashkia e Elbasanit që ai të ndërrojë pllakat. Rama tha se ka shpërndarë 95 milionë euro vitin që shkoi. I ka marrë Bullai, i ka marrë Gjergj Luca dhe i kanë marrë shokët e Taulant Ballës”, tha Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb