TIRANE – Një gruaje të re dhe të bukur, por të nënvleftësuar nga i shoqi, gjatë një mitingu i bien të mbathurat. Një incident që shkakton të qeshura dhe intriga për meshkujt përreth, por që për burrin e saj është një skandal. Rolin e këtij burri të turpëruar e luan Gent Zenelaj në komedinë gjermane “Brekët”, të shkrimtarit Carl Steirnheim, që vjen e përshtatur për realitetin shqiptar nga regjisori Kastriot Çipi. E shohim çdo natë në ekran me “Ça thu”, ku së bashku me Saimir Kodrën bën humor të zi. Genti i rikthehet teatrit pas tri vitesh me këtë komedi të fortë, ndaj tregon për emocionet në skenën e Teatrit të Metropolit.
Në teatër sërish në komedinë Brekët”. Si ndihesh në pozitat e burrit që i turpërohet gruaja në një miting?
Kristo, personazhi im, është një nëpunës i vogël shteti, që siç dihet rëndom e ka me merak se çfarë mendon kryetari i partisë. Është një njeri meskin, egocentrik dhe maskilist në maksimum. Imagjinojeni se si ndihet ai pas asaj që ndodhi
Gruaja juaj ishte shtëpiake e dëshpëruar apo femër e lirë si te “Sex and the city”?
Gruaja në komedi quhet Luiza, që luhet nga Alesia Xhemalaj, aktore shumë e talentuar. Luiza është një shtëpiake e lodhur nga rutina e saj, është grua e ndrydhur, e etur për emocione, për romancë e për pak dashuri.
Është ky roli ku ti jep maksimumin tënd?
Jo, nuk është ky roli ku unë mund të jap maksimumin, por e kam luajtur me shumë dashuri këtë personazh. Kristo është një njeri që në Shqipëri ndeshet shpesh. Komedia është e shkruar me mjeshtëri dhe është testuar në shumë e shumë shtete të botës, ndaj jam i sigurt për efektin e shkëlqyer që ka edhe në Shqipëri. Unë jam argëtuar shumë me këtë pjesë së bashku me aktorët Valina Muçolli, Laert Vasili, Dorian Ramaliu, Alesia Xhemalaj, Apostol Kaçi.
Nuk duket se titulli ”Brekët” të afron më shumë me banalitetin, sesa me klasin e humorit të hollë?
Tashmë dihet që një palë brekë mund të shkatërrojnë botën. Dhe është e vërtetuar që si në SHBA, si në Angli dhe në çdo shtet tjetër, një palë brekë që bien pa dashje, në një miting ku po flet kryetari, sjell pështjellim dhe nota të forta komedie te njerëzit që janë përfshirë. Dhe pjesa ka 100 vjet që bën të njëjtin efekt, ndaj nënkuptohet përgjigjja.
(er.nu/panoramaplus/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: