Analisti Agron Gjekmarkaj komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur kryesisht te Reforma Zgjedhore.

Gjekmarkaj tha se teorikisht palët politike do ta gjejnë gjuhën për këtë reformë, duke shtuar se ai që po luan, edhe pse hiqet si viktimë, është kryeministri Edi Rama.

“Teorikisht do ta gjejnë gjuhën palët. Ai që po luan, pavarësisht se po hiqet si viktimë, dje kërcënoi opozitën, e kam fjalën për kryeministrin. Kemi pak a shumë reformën që kemi pas, me ca risi, që janë kontribut i kërkesave të opozitës, si rikompozimi i KQZ dhe identifikimi biometrik, pra një sukses i opozitës. Opozita është e pafuqishme për ta ndalur këtë reformë, kështu që kryeministri po përpiqet të radikalizojë situatën”, u shpreh analisti.

Mban kjo status quo për një vit?
Politika jonë ka nevojë shpeshherë për zjarr artificial dhe nuk mungojnë mundësitë që ai të krijohet. Por, koha do të ikë shpejt. Ka ndodhur tërmeti me pasoja ekonomike të frikshme, ka ndodhur karantina me pasoja ekonomike. Këto kanë rritur borxhin publik në Shqipëri. Çështja është si do të hyjnë paratë e marra borxh në ekonominë shqiptare. Ekonomia është një ekuacion me shumë ndryshore dhe ne nuk e dimë si do të zgjidhet. Ai që ka nevojë për tension, për ta ekstremizuar komunikimin, është kryeministri, sepse kështu i heq mundësinë opozitës të shfaqë alternativa.

Rezoluta e PE ka ndezur debatin për 15 kushte…
Dihet botërisht e zeza mbi të bardhë se kushtet janë. Janë kushte që fatkeqësisht e lënë kryeministrin pak të vetmuar, sepse po përpiqet të zvarrisë reformën zgjedhore, që duhet ta bëjë me opozitën. Vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë, Reformë në Drejtësi, që po ecën me hapat e milingonës dhe breshkës, krimi elektoral nuk është hetuar. Këto janë fakte që rëndojnë mbi kryeministrin. Nëse ai nuk reflekton, kushtet mund të bëhen edhe 20, pasi tendenca është që të shtohen. Rama përpiqet gjithmonë që me arrën e tij të thyejë arrën e tjetrit. I mungon aftësia për t’u tërhequr dhe bërë marrëveshje.

Do t’i nisim dot negociatat me BE?
Gjëja më e mirë që ka bërë qeveria Rama në raport me integrimin është emërimi i ambasadorit Zef Mazi si kryenegociator, që është i pakontestueshëm. Por nuk e di a na mjaft vitrina pa thelbin pas, ku thelbi janë kushtet. Nuk ka asgjë të përbashkët Shqipëria me Evropën në planin politik. Është e kotë që kryeministri të bëjë reagime për 15 kushtet. Problemi mbetet, është në mes të sheshit të Shqipërisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb