Viti 2019 ka qenë i mbushur me zhvillime dhe ngjarje të bujshme, të cilët mund të vijojnë edhe përgjatë 2020-ës. E tillë ishte protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, një ngjarje që sipas kryeredaktores së “News24”, Anila Jole, mund të precipitojë.

E ftuar në emisionin “Kjo Javë”, në News24, Jole tha se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gaboi kur tha se me buxhetin e vitit 2020 do të ndërtojmë dhe teatrin e ri, pasi kjo nxit më shumë protestat e artistëve, që kundërshtojnë për një vit me radhë shembjen e teatrit.

Më tej, gazetarja Jole komentoi dhe ngjarje të tjera të bujshme të këtij viti, si vogëlushi Alvin Berisha, Festivali i 58-të i Këngës, por edhe fitoren e Alvin Kurtit në Kosovë.

Pjesë nga intervista:
Kthehemi te Teatri Kombëtar …
Nisi ashtu, por një kaos që s’ma merrte mendja që do të kishte këtë jetëgjatësi. Unë mendoja se s’ka asgjë të keqe të bëhet teatri i ri, por po të isha një kryeministër apo kryetar bashkie nuk do t’i injoroja qëndresën e këtyre artistëve, qofshin ata gabim, duhen marrë parasysh. Duhet negociuar me ta, ashtu siç po negociohet me ata që duan teatrin e ri. Qëndresa e tyre, kauza e tyre është për t’u admiruar. Më vjen keq që Veliaj tha se me buxhetin e ardhshëm do ndërtohet teatri ri, dhe kam frikë se gjërat do peripecojnë. Mund të zgjasë një kauzë një muaj, dy, por nuk mund të zgjasë kaq gjatë. Nuk është e jashtëzakonshme që projekti të ndryshojë.

Si e shihni figurën e Albin Kurtit?
Albin Kurti padyshim dukej se do të ishte politikani shqiptar i vitit. Zgjedhja e tij u prit me një shpresë të jashtëzakonshme. dukej se do të thyente atë mënyrë të të bërit politikë deri tani. Por, kjo zvarritje e krijimit të qeverisë, këto pazare që po bëhen për qeverinë, nuk dua ta besoj, por duket sikur edhe vetë Albin Kurti po bën pazare politike dhe kjo më ka zhgënjyer shumë. Unë shpresoj që të mos kalojnë tre muaj dhe Kosova të jetë pa qeveri.

Si qëndron Kosova në raport me Shqipërinë?
Ndryshon atmosfera atje, sepse kanë një lloj edukate të të bërit shtet. Shumë vite nën Serbi, disi do ndikohesh për të bërit shtet. Por, në thelb edhe ata mbeten shqiptar dhe duket se geni nuk ndryshon, problemet janë të njëjta.

Një tjetër ngjarje që na ka prekur të gjithëve, djali i vogël Alvin Berisha …
Na preku, sepse e pamë nga afër historinë e tij, dëgjuam babanë e tij, por edhe vetë atë. Fytyra e tij dhe e atyre grave që janë në kampe, na kujton të gjithë ata shqiptarë që u larguan nga Shqipëria dhe ikën të luftonin për xhihadin. Është një njollë e zezë për shqiptarët. Nuk do ja falja kurrë shqiptarëve, nuk do krenohesha për këtë gjë. Ju takon autoriteteve shqiptare të kujdesen për fatin e tyre, por më e rëndësishme se kthimi, është rehabilitimi dhe integrimi i tyre në jetën e sotme. Nuk e kam fjalën për Alvinin, por kemi parë dokumentarë të tjerë, ku fëmija i drejtohet gazetarit “do të pres kokën”. Pra, çfarë pret nga këta fëmijë, që janë rritur me këtë ide. Si mund të rriten këta fëmijë pa një trajtim serioz, pa asistencë psikologjike, sociale. Është shumë e rrezikshme që ata të fillojnë të japin atë që kanë mësuar te shoqëria. Është për të ardhur keq, është gjëja shumë e tmerrshme që na ka ndodhur, ikja e shqiptarëve atje.

Festivali i 58 i Këngës, i konceptuar ndryshe, por edhe i goditur … Si e patë?
Polemikat e bënë pis këtë festival. Festivali për të cilin paguajmë taksa duhet të jetë shumë transparent, që nga pranimi i këngëve, vlerësimi i jurisë, e shumë komponentë të tjerë. Edhe nëse çmimi i parë nuk do të ishte ai që do doja unë, nuk do të kisha dyshime. Tani, unë vërtet Arilenën e pëlqeva që në fillim dhe shoqet e mia e dinë, por mënyra si u diskutua më pas për mënyrën e votimit, e ndoti atë imazhin e bukur që kisha për këtë këngë. Nuk duhet që ky festival të bëhet një lloj prone private, sepse është i të gjithëve dhe kemi interes për të. Kush dëshiron që të ketë një festival sipas vizionit apo dëshirës së tij ka mjaft televizione private, që mund t’i realizojë, në televizionin shtetëror ne duhet të kërkojmë shumë cilësi dhe jo një zhvillim të tillë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb