Gjermania ka dëbuar dy diplomatë rusë, punonjës të ambasadës ruse në Berlin, pasi prokurorët gjermanë thanë se kanë dëshmi për përfshirjen e tyre në vrasjen e një shtetasi të Gjeorgjisë.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha se e ka marrë këtë vendim për shkak se autoritetet ruse refuzuan të bashkëpunojnë në hetime lidhur me vrasjen e gjeorgjianit. Organet gjermane të drejtësisë besojnë se në këtë vrasje kanë qenë të infiltruara qeveria e Rusisë ose e Çeçenisë.

Zelimkhan Khangoshvili ishte qëlluar për vdekje në një park të Berlinit në gusht të këtij viti. Kremlini e ka mohuar kategorikisht përfshirjen e tij, por mungesa e vullnetit të qeverisë ruse për ta zbardhur rastin ka ngjallur dyshime.

Sidoqoftë, Ministria e Jashtme Ruse paralajmëroi se do të reagojë më vonë ndaj vendimit të Gjermanisë për dëbimin e dy diplomatëve rusë, të cilin e cilësoi si veprim jomiqësor dhe të pabazë.

Vrasësi i burrit 40-vjeçar ishte arrestuar nga policia kur po përpiqej ta fshihte armën në një kanal, por ai ka refuzuar të bashkëpunojë me autoritetet gjatë procesit të marrjes në pyetje.

Autori i vrasjes kishte udhëtuar drejt Gjermanisë përmes një pasaporte ruse i identifikuar si Vadim Sokolov, por ekspertët dyshojnë në autenticitetin e dokumentit.

Gjeorgjiani i vrarë ishte pjesë e forcave separatist që kanë luftuar kundër ushtrisë ruse në Çeçeni, shkruajnë mediet botërore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb