Kosova i ka pranuar të enjten në një ceremoni në Prishtinë pesë kamionë ushtarakë në vlerë rreth tre milionë euro si mbështetje nga Gjermania. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se kjo ndihmë do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“[Donacioni prej] 2.7 milionë eurosh që pranuam sot janë në vazhdën e donacioneve prej 3.5 milionë eurove që pranuam vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë”, tha Maqedonci. Ai tha se Gjermania ka luajtur rol të “jashtëzakonshëm” në rritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. “Mbështetja me automjete ushtarake për forcën është vetëm njëra nga fushat ku gjermania kontribuon ndjeshëm për sigurinë e vendit tonë”, shtoi ai.

Përveç pesë kamionëve donacion, Kosova do t’i blejë edhe 10 kamionë të tillë ushtarakë gjermanë me mjete nga buxheti i vet, sipas ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde. “Dua ta theksoj edhe sot se marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera… bashkëpunimi me FSK-në po bëhet çdo herë e më i ngushtë, posaçërisht në fushën e sigurisë”, tha Rohde.

Kamionët ushtarakë HX3, sipas kompanisë gjermane që i prodhon Rheinmetall, shërbejnë për të kryer operacione taktike dhe logjistike në kushte sfiduese dhe në terrene të vështira. Në buxhetin e Kosovës për vitin 2024, të miratuar fundin e vitit të kaluar, Ministrisë së Mbrojtjes i është ndarë buxhet në vlerë prej 153.049.911 eurosh.

Kosova i ka shtuar përpjekjet për të blerë armatim dhe pajisje të tjera këtë vit. Në fillim të janarit, Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh. Kjo vjen në një kohë tensionesh të rritura mes Kosovës dhe Serbisë.

Muajin e kaluar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e akuzoi Serbinë për dërgimin e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të saj me Kosovën. Në janar, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës bëri të ditur se ka bërë kërkesë për blerjen edhe të armëve të tjera, përveç 246 raketave kundërtanke të tipit Javelin.

FSK-ja është në një process të shndërrimit në Forcë të Armatosur të Kosovës, i cili nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e saj. Ky proces është planifikuar të zgjasë dhjetë vjet – deri në vitin 2028.

Forca e Sigurisë e Kosovës aktualisht ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në më shumë se 7.500 dhe do të përfshijë anëtarë aktivë dhe rezervë./Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb