VLORE- Fshati Llakatund njësisë administrative të Shushicës ishte ndalesa e Drejtuesit politik të Qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 Qershorit. Kryetari i socialistëve të Vlorës Anduel Tahiraj tha se pas pak ditësh, shqiptarët kanë një shans për të zgjedhur njerëzit e duhur që do drejtojnë vendin për katër vitet e ardhshme.

“Unë ju ftoj që të votojmë Partinë Socialiste, të votojmë Edi Ramën, të votojmë ministrin e deputetin tonë. Ky është një shans që e kemi të gjithë duke patur Kryeministrin dhe ministrin, njerëzit më të fortë dhe më të suksesshëm që drejtojnë dhe do drejtojnë nesër Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Ju ftoj të gjithëve të punojmë për fitoren e 25 Qershorit”, u shpreh Tahiraj. Ndërkaq, Gjiknuri në fjalën e tij pranoi se fshati ka probleme të mëdha por ato duhet të zgjidhen gradualisht.

“Me pak durim dhe me njerëzit e duhur, pak nga pak gjërat do të realizohen. Fshati ka shumë halle dhe nuk diskutohet, nuk thotë njeri që ne do ti zgjidhim të gjitha. Por të mos harrojmë një gjë, që ajo çka po bëhet për këtë komunë dhe për gjithë Vlorën nuk është bërë asnjëherë. Ju jeni dëshmitarë qoftë me gjërat që po bëhen këtu apo me ato që i shikoni në Vlorë. Vlora është kthyer në një epiqendër investimesh, qyteti po ndryshon, i gjithë qarku po ndryshon. Është qarku që ka përfituar më shumë investime në Shqipëri gjatë këtyre kohëve”, nënvizoi Gjiknuri.

Ai premtoi se paketa e investimeve për Vlorën pas 25 Qershorit do të shtohet dhe do prekë edhe këto zona si Llakatundi. “Edhe fshati juaj dhe gjithë komuna do të transformohet. Siç bëmë rrugën e Risilisë, ndërhyrjet në sistemin energjetik. Vlora do të vazhdojë të thithë investime nëse Partia Socialiste do të ketë drejtimin e vetëm të qeverisë dhe prandaj duam që ti çojmë punët përpara”, theksoi Gjiknuri.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: