Berat Gjimshiti, mbrojtësi i grumbulluar nga Panucci në Kombëtare, ka folur sot në konferencë për shtyp për ndeshjen me Izraelin, e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Futbollisti që aktivizohet me Atalantën në “Seria A” shprehet se ky është momenti për të rikuperuar gabimet, ndërsa kur pyetet për lënien jashtë Europianit nga De Biazi nuk zgjedh të bëjë polemika.

Beson Gjimshiti që e ka një fanellë titullari ?

Ato gjëra i vendos trajneri. Unë nuk vij këtu të them që dua të luaj. Unë kam detyrë të jap maksimumin.

Ajeti mungon, a e ndjen ti përgjegjësinë e qendrës së mbrojtjes?

Mavraj është ai që manovron mbrojtjen, por nëse do të luaj do të jap kontributin për të mbajtur mbrojtjen.

Çfarë presim nga kjo sfidë?

Ne që kemi luajtur kundër Izraelit 2 ndeshje e dimë çfarë ekipi është. Do të shikojmë kush janë repartet e tyre më të forta.

Objektivat e Ligës së Europës për Shqipërinë ?

Ka 2 objektiva, të luajmë mirë dhe të kalojmë grupin dhe më pas të shikojmë ata që do të vijnë. Ne duam të arrijmë maksimumin.

Diferencat e Panuçit dhe Gasperinit ?

Shumë trajnerë janë të ndryshëm dhe kanë karakterin personal. Futbolli i Atalantës me atë të Shqipërisë është i kundërt sepse nuk kanë filozofi të njëjtë. Jap maksimumin që kërkon trajneri.

Keni ndonjë problem sepse te Atalanta luhet me 3 mbrojtës dhe këtu me 4?

Edhe vjet te Benevento kemi luajtur me 3, por nuk është problem për mua sepse kam luajtur shpesh me katër.

Duhet të kemi frikë nga provokimet kundër Izraelit?

Unë e di çfarë ka ndodhur. Ne nuk do të mendojmë për këtë. Ndeshjen duam ta zhvillojmë si ajo që bëmë në Izrael.

Ke qenë nga ata lojtarë, që u le jashtë listës të Europianit, a ke një mesazh për të gjithë?

Nuk kam asnjë mesazh pasi secili vendos personalisht. Nuk kam dashur ta lë kombëtaren për asgjë tjetër. Të luash për kombëtaren duhet të japësh maksimumin gjithmonë.

Objektivi për këto 2 ndeshje ?

Objektivi është ti fitojmë ndeshjet. Është rasti ti përmirësojmë gabimet tona.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb