Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut angazhohen për hapa konkretë për luftën kundër informalitetit dhe piraterisë, përmes një memorandumi bashkëpunimi.

Memorandumi me në fokus mbrojtjen e pronësisë intelektuale në fushën e letrave shqipe, u nënshkrua nga Drejtorja e QKLL Alda Bardhyli dhe Kreu i Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut Ladrim Sahitaj.

“Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të punojnë së bashku për organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese për të drejtat e autorëve dhe të pronësisë intelektuale për të bërë të mundur ndërgjegjësimin e të gjithë zinxhirit të subjekteve dhe faktorëve në industrinë e librit duke realizuar aktivitete informuese mbi detyrimet ligjore që duhen përmbushur në bazë të Ligjit 36/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to” si edhe Ligjit Nr. 9616, datë 27.9.2006 “Për Librin në Republikën e Shqipërisë”, tha Bardhyli.

Mbrojtja e dorëshkrimeve të autorëve shqiptarë dhe përgatitja e tyre për botim në bazë të legjislacionit përkatës është një nga pikat e kësaj marrëveshje.
“Me interes të veçantë do të jetë shkëmbimi i eksperiencave dhe realizimi i trajnimeve të përbashkëta ndërmjet Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut do të ofrojë serinë e broshurave informuese ndërsa Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të ofrojë botimet e tyre”, tha Sahitaj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Informaliteti vijon të jetë ende një temë e ndjeshme për sa i përket librit. Vetëm një muaj më parë përmes një tryeze diskutimi botuesit ngritën zërin mbi rëndësinë që ka marrja e hapave konkretë në këtë fushë. Kreu i shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri ngriti në këtë tryezë problemin e fotokopjimit pa leje të librave pranë fakulteteve, botimi i librave pa të drejtën e autorit dhe piratimi nga persona të dytë i veprave, të cilët i shesin nëpër tezga, skanimi i librave pa leje dhe nxjerrja e tyre në faqet e internetit, të cilat ua shesin lexuesve kundrejt një pagese. Edhe pse terreni I veprimit është I vështirë përmes këtij memorandum pritet të ketë hapa konkretë në mbikëqyrjen e tregut, duke ndëshkuar me gjoba dhe pezullim të aktivitetit në raste shkeljeje të përsëritura.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb