Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, duke theksuar rëndësinë e transparencës në marrëdhëniet mes qytetarëve, shtetit dhe sipërmarrjeve. Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te presioni mbi ekonominë dhe rritja e kostove, të cilat, sipas tij, po ndikojnë në shumë vende të botës.
Kryeministri u shpreh se në këto kushte bizneset duhet të shohin përtej fitimit të përditshëm dhe të tregojnë më shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve. Ai tha se platforma do të ofrojë mundësi për të njohur ofertat dhe çmimet, ndërsa bëri të ditur se synimi është që deri në fund të vitit të ketë 1 mijë produkte me ulje. Rama paralajmëroi gjithashtu se ligji parashikon gjoba në rastet kur konstatohet spekulim me çmimet. Sipas tij, përpjekja për të rritur transparencën duhet të jetë e vazhdueshme, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të informohen dhe të verifikojnë vetë të dhënat.
Duke folur për përhapjen e lajmeve të rreme dhe manipulimin e informacionit në hapësirën digjitale, Rama tha se qytetarët përballen çdo ditë me pretendime të pavërteta dhe gjysmë të vërteta. Kryeministri e cilësoi krijimin e platformës si të domosdoshëm për këtë periudhë, duke argumentuar se qytetarët duhet të kenë akses te faktet dhe informacioni konkret, përtej retorikës dhe pretendimeve që qarkullojnë në publik.
““Sot është një kohë kur duhet parë përtej fitimit ditor dhe respekti për qytetarin materializohet dhe në formën e vetëdijes. Në kushtet e presionit të përgjithshëm mbi ekonominë, që s’ka të bëjë fare me arsye të brendshme, por ka përfshirë mbarë botën për shkak të rritjes së kostove në tërësi, janë karakteristikë e të gjitha vendeve. Duhet bërë një hap përtej asaj vije, për atë që shet dhe atë që blen. Duhet gjetur një rrugë për të ofruar një mundësi më shumë për njerëzit që kanë më shumë mundësi.
Tashmë në këtë platformë do të prezantohen shumë oferta, por deri në një vit do të ketë 1 mijë artikuj me ulje. Ligji parashikon dhe gjobë në rast se ato çmime janë spekulim. Përpjekja jonë do të jetë në mënyrë të vazhdueshme, mirëkuptimi.
Duam ta çojmë në një nivel tjetër transparencën në çdo sektor dhe në çdo marrëdhënie mes qytetarëve, shtetit dhe sipërmarrjeve, në mënyrë që të gjithë të shohin me sytë e tyre faktet dhe të vërtetat e jetës së përditshme. Është mbushur jeta jonë me shumë pasqyra që i kemi të gjitha te sipërfaqja digjitale e telefonit. Çfarë nuk na del para dhe çfarë s’dëgjojmë, dhe shpeshherë biem pre e manipulimeve, e gënjeshtrave dhe gjysmë të vërtetave të gënjeshtrave më të mëdha. Krijimi i kësaj platforme, ku shteti është i aksesueshëm, ku njihesh me fakte, jo me fjalë dhe retorikë, është i domosdoshëm në këtë kohë.”, tha Rama.
