Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi në Kuvend projektligjin për regjistrimin e organizatave jo fitimprurëse në Shqipëri. Gjonaj deklaroi se do të shmangen burokracitë veçanërisht për ata që jetojnë jashtë Tirane dhe detyroheshin të vinin në kryeqytet.

Ministrja e Drejtësisë, u tha deputetëve në seancën plenare se edhe “për shkak edhe të detyrimeve që burojnë nga “MONEYVAL”, ne rrisim transparencën dhe heqim një rrezik që ky sektor ka për pastrimin e parave”

Sipas zonjës Gjonaj “në përputhje të plotë me standartet më të mira ndërkombëtare, projektligji vendos detyrime për regjistrim dhe për raportim të të dhënave që janë të nevojshme për transparencën e këtij sektori”.

Po ashtu u nënvizua se projektligji ndryshon rrënjësisht sistemin e regjistrimit.

“Ne krijojmë një sistem regjistrimi të bazuar në komunikimin dhe shqyrtimin elektronik të kërkesave për regjistrim. Pra, edhe dikush që është nga një rreth i largët, mund të paraqesë aplikimin elektronik për regjistrimin e organizatës në gjykatën e Tiranës dhe e përfundon procedurën pa ardhur asnjë ditë në Tiranë. Kjo shkurton kohën e regjistrimit dhe koston që lidhet me këtë proces”-tha ministrja.

“Element thelbësor gjithashtu në këtë ligj, është lehtësimi i procedurave, pasi në vazhdimësi deri më sot ishin të zgjatura vështirësitë me krijimi dhe regjistrimi i një organizate, për të cilën duhet të shkohej disa herë në gjykatë për ta përfunduar si procedurë.

Sipas ministres, kjo vështirësohej më shumë për anëtarët e shoqërisë civile nga jashtë kryeqytetit, që u duhej për të regjistruar organizatën, të vinin disa herë në Gjykatën e Tiranës.

Lidhur me këtë, projektligji jep zgjidhje për të ulur disi ngarkesën në Gjykatën e Tiranës. Sipas ligjit aktual, çdo veprim me regjistrin e OJF-ve, duhet të bëhej nga një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës.

Në një vit, Gjykata e Tiranës kishte rreth 2000 çështje që lidheshin me kryerjen e veprimeve në regjistrin e OJF-ve. Tashmë, këto 2000 çështje nuk do të trajtohen më nga gjyqtarët, por nga kancelari i Gjykatës së Tiranës, i cili, me mbështetjen e zyrës së regjistrit të OJF-ve, do të kryejë këto veprime regjistrimi.

Në tërësi ligji lehtëson pa masë punën dhe barrën administrative të organizatave dhe lejon zhvillimin e sektorit duke mundësuar krijimin e lehtë të organizatave nga çdo individ që ka zellin dhe pasionin për t’u marrë me çështje në interes dhe dobi të publikut.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb