TIRANE- Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, priti në një takim Johann Sattler, Ambasadori i Austrisë në Shqipëri. Ministrja vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Austrisë, duke shprehur falenderimet për mbështetjen e vazhdueshme që i është dhënë vendit tonë, veçanërisht për statusin e vendit kandidat.

Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, reformat e ndërmarra nga qeveria dhe sfidat e mëtejshme për vendin, ishin në fokus të diskutimeve gjatë këtij takimi. Ministrja Gjosha, e informoi, Sattler mbi ecurinë e 5 prioriteteve, duke theksuar angazhimin e qeverisë shqiptare për përmbushjen sa më të shpejtë të tyre. Bashkëbiseduesit u ndalën tek reforma në drejtësi, duke e konsideruar thelbësore për hapjen e negociatave dhe konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë së vendit.

Ministrja Gjosha, u shpreh se me miratimin konsensual të kësaj reforme, Shqipëria do të jetë gati të marrë një rekomandim nga Komisioni Europian, për të vijuar implementimin e saj përmes hapjes së negociatave. Ambasadori Sattler, theksoi se Austria inkurajon progresin e Shqipërisë dhe do të vijojë të mbështesë vendin me procesin e integrimit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: