TIRANE

Pamjet që shihni vijnë nga vendi ku një burrë pasi u dhunua nga persona ende të paidentifikuar, u fut forcërisht në një makinë. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën ‘London’ në Kamëz. Gazetari Erjon Skëndaj ka siguruar për ‘BalkanWeb’ pamjet në fjalë, ku ende janë të freskëta njollat e gjakut.

Sipas tij, ndonëse banorët e zonës janë munduar që të lajnë shenjat e gjakut, ato janë ende të dukshme në asfalt, ndërsa ende ngelet mister fati i personit që është marrë peng. Siç u raportua dhe më herët, sipas dëshmisë së qytetarëve, kanë qenë 2 persona të maskuar, të cilët pasi e kanë dhunuar burrin, identiteti i të cilit nuk dihet ende, e kanë marrë atë në një makinë.

“Personi që është marrë me forcë, para se të futej në makinë është goditur dhunshëm dhe ka pasur pellg gjaku në asfalt. Duken qartë gjurmët e gjakut në asfalt. Ngjarja që ka ndodhur në mes të ditës, ku ka pasur edhe dëshmitarë okularë. Ka ndodhur brenda një blloku pallatesh 5 katësh dhe janë 6 pallate që e rrethojnë vendin. Këtu qëndron vetëm një furgon policie.”, raportoi Skëndaj në një lidhje telefonike nga vendi i ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb