Gjykata e Lartë ka pranuar rekursin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për pezullimin e 2 prokurorëve të SPAK, Alfred Shehu dhe Elvin Gogaj. Kështu, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e Apelit Administrativ, që pranoi ankimimin e prokurores Sonila Muhametaj.

Kjo e fundit kundërshtoi moszgjedhjen e kandidaturës së saj nga KLP për dy vendet vakante të shpallura nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion. Pra, referuar vendimit të Apelit që është shprehur përfundimisht dhe në formë të prerë, ligjit dhe praktikës të konsoliduar të Gjykatës së Lartë, rekursi nuk duhej pranuar, duke marrë shembull rastet e emërimeve nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për në Kushtetuese ose Kolegjin e Lartë Gjyqësor.

Tre anëtarët e gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, Sokol Ngreca dhe Gentian Medja, vendosën të rikthejnë çështjen për shqyrtim edhe njëherë në apelin Administrativ dhe çështja të shqyrtohet me një trup tjetër. Tanimë deri në marrjen e një vendimi të dytë, dy prokurorët Goge e Shehu do i rikthehen detyrës. Më 24 maj të këtij viti, Apeli Administrativ pranoi padinë e prokurores, duke vendosur pavlefshmëri absolute për emërimin në strukturën antikorrupsion të prokurorëve, Elvin Goka dhe Alfred Shehu dhe rishikim të garës për 3 kandidatët e SPAK.

Në kërkesë-padinë e saj drejtuar Gjykatës së Apelit administrativ e cila u pranua, ish-prokuroria e krimeve të rënda, kishte renditur të gjitha pretendimet ndaj veprimeve që sipas saj ishin të padrejta, e që janë ndërmarr nga Këshilli gjatë konkurrimit për emërimin në SPAK. Në padinë prej 36 faqesh prokuroria paditi KLP-në, për mënyrën e pikëzimit dhe ngritjen në detyrë të dy prokurorëve, të Apelit Durrës dhe atë të Elbasanit.

Vitin e kaluar Gogaj, Shehu dhe Muhametaj kandidonin për dy vende vakante në SPAK. Pas shqyrtimit të kandidaturave, KLP renditi Elvin Gokajn me 216 pikë, Alfred Shehun me 211 dhe Sonila Muhametajn me 208 pikë. Por, sipas Apelit Administrativ, kjo renditje e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është dhënë duke ndjekur procedurat e rregullta. Kësisoj është shpallur e pavlefshme renditja e garuesve dhe emërimi i dy prokurorëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb