Gjykata e Tiranës ka zbardhur arsyetimin e vendimit gjyqësor ndaj të pandehurit Edison Kajtazi, i deklaruar fajtor për vrasjen e biznesmenit Aurel Zenka, në prill të vitit 2014, në kryeqytet. Kajtazi u dënua me 25 vjet burg, nga të cilat do të vuajë 16 vjet e 8 muaj, për shkak se u gjykua me kohë të shkurtuar.
Vendimi i arsyetuar, një kopje e të cilit zotërohet nga gazeta, nxjerr në dritë kronologjinë e konfliktit të lindur nga një borxh i papaguar, që përfundoi me vrasjen e Zenkës. Në vendim paraqitet dhe dinamika e vrasjes së biznesmenit, ku rezulton se para se të qëllohej me gjashtë plumba, ai është qëlluar me qytë pistolete në kokë nga i pandehuri Kajtazi.

BORXHI
Përplasja që u bë shkak për vrasjen e Zenkës ishte konflikti i lindur mes Edison Kajtazit dhe shtetasit A. M. për shkak të një borxhi parash të pashlyer. Ky borxh nuk është pranuar nga ana e A. M. dhe, për këtë shkak, i pandehuri Edison Kajtazi ka ardhur nga Italia në Shqipëri për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje. Pasi janë takuar rastësisht te “21 Dhjetori”, A.M. nuk ka pranuar të takohej me të. I pandehuri është munduar që ta zgjidhë këtë problem, duke futur si ndërmjetës disa persona të tjerë, të njohur të tij. Sipas gjykatës, nga ana tjetër, A.M. ka shprehur shqetësim te kushëriri i bashkëshortes së tij, i ndjeri Aurel Zenka dhe te shtetasi Besnik M., duke u kërkuar të ndërhynin për të zgjidhur mosmarrëveshjen me të pandehurin Edison Kajtazi. Një ditë para ngjarjes, Aurel Zenka ka hasur në rrugë të pandehurin Edison Kajtazi. Ata kanë debatuar me zë të lartë dhe janë ndarë pa i dhënë zgjidhje shqetësimit të shprehur nga Armando. Të nesërmen në mbrëmje, i pandehuri Edison Kajtazi ka takuar Besnik M. në një nga lokalet pranë shkollës “Ali Demi” dhe e ka pyetur nëse kishte parë shtetasin A. M. Pasi kanë komunikuar me të në telefon, Kajtazi, i shoqëruar nga disa persona të tjerë, ka shkuar në një bar tjetër të zonës. Pas këtij komunikimi, Besnik M. është nisur bashkë me të pandehurin Edison Kajtazi dhe katër persona të tjerë për në brendësi të një tuneli pallati, në një kohë që Kajtazi shoqërohej nga katër persona. Për faktin se Besnik M. po debatonte me disa persona te tuneli, kanë marrë dijeni viktima Aurel Zenka dhe deklaruesi Bledar M., të cilët janë nisur për aty.

VRASJA E ZENKËS
“Te tuneli, deklaruesi Bledar M. dhe viktima Aurel Zenka kanë parë deklaruesin Besnik duke debatuar me të pandehurin Edison Kajtazi dhe katër persona të tjerë, të cilët deklaruesi Bledar M. i ka njohur fizikisht si djem të lagjes. Sapo janë afruar, deklaruesi Bledar ka qëndruar afër hyrjes së tunelit, kurse Aurel Zenka është afruar te grupi i personave, duke i thënë të pandehurit Edison. “Ça keni, ça keni, përse je këtu o legen”. Ndërkohë që deklaruesi Besnik M. ishte ende në mes tyre, vazhdonte të fliste me te pandehurin Edison Kajtazi. Viktima Aurel Zenka, i acaruar nga kjo situatë, që mbante pistoletë në dorë, ka tentuar t’i afrohej të pandehurit Edison Kajtazi, i cili mbante armë në dorë dhe janë kapur te dy trup me trup. Fillimisht i pandehuri Kajtazi ka qëlluar me qytën e armës në kokë viktimën, çka ka bërë që ai të përkulej. Pasi kanë vazhduar të shtyhen e gjuajnë njëritjetrin, i pandehuri Edison me armën që kishte në dorën e djathtë ka qëlluar në drejtim të viktimës 6 herë. Viktima Aurel Zenka ka bërë disa hapa në drejtim të daljes se tunelit, ku ndodhej deklaruesi Bledar M. dhe aty ka rënë pa mundur të flasë asnjë fjalë”, citohej dinamika e ngjarjes në vendimin e Gjykatës.

(a.n/panorama/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: