Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar për të mos shkarkuar presidentin e Republikës, Ilir Meta. Në arsyetimin e Gjykatës theksohet se nuk ka pasur shkelje të rënda të Kushtetutës, për të cilat kreu i shtetit mund të largohej nga detyra.

Sipas vendimit të Kushtetueses, shqetësimet e ngritura nga Presidenti para dhe gjatë fushatës së 25 prillit dhe gjuha e përdorur ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë nuk përbëjnë shkelje të ligjit themeltar të shtetit.

Gjykata, bazuar në analizën e kritereve të shkeljes së rëndë nuk identifikon ndonjë normë kushtetuese të cenuar, pasi Kuvendi nuk ka arritur të provojë ardhjen e pasojave në drejtim të cenimit të rendit dhe sigurisë publike. Presidenti nuk ka ushtruar veprimtari vendimmarrëse, nuk ka marrë ose ushtruar kompetenca të institucioneve të tjera dhe nuk është provuar ndonjë qëllim i tij për ndërhyrje në rendin dhe sigurinë publike.

Sipas kuvendit, Presidenti Meta, kishte përcjellë mesazhe përçarëse dhe kishte marrë anën e opozitës përgjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të shkuar. Po ashtu, Kuvendi pretendonte e presidenti kishte shkelur betimin si kryetar i shtetit. Por sipas Gjykatës as këtu nuk ka shkelje të rëndë pasi:

“Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës; faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës; dhe faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”.

Gjithashtu, sipas Gjykatës “faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Gjykata pranon se, në parim, ushtrimi nga Presidenti i një roli aktiv në jetën politike dhe shoqërore të vendit nuk mund të konsiderohet sjellje në kundërshtim me Kushtetutën. Mënyra e ushtrimit të funksionit varet edhe nga personaliteti, individualiteti i Presidentit, mënyra si ai e koncepton, interpreton dhe zgjedh ta ushtrojë atë, pra duke zgjedhur të ketë një qasje të përmbajtur ose aktive, gjithnjë brenda kuadrit të kompetencave të tij kushtetuese.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se vendosi “shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb