Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, i futur në emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, ka komentuar situatën brenda PD dhe ndikimin që ka pasur konflikti i brendshëm në përqendrimin e energjive në fushatën elektorale të 14 majit.

Ai deklaron se shpreson në një vendim përfundimtar pas shqyrtimit të çështjes në procedurë edhe në meritë.

Halimi shtoi se një përgjigje e paqartë dhe jo përfundimtare, do vijonte pjesën e diskutimeve brenda PD, ndërsa bëri thirrje që procesi të mos zvarritet.

Pjesë nga diskutimi në studio:

Nisida Tufa: Çështja më e nxehtë politike në këtë moment është ajo e vulës së PD. Ju a keni patur kontakte me Bashën apo Berishën mbi këtë çështje?

Eduard Halimi: Kam komunikim të vazhdueshëm me të dy. Asnjëri nuk më ka krijuar komente mbi këtë çështje pasi jam mik i të dyve dhe një pyetje e tillë do më vinte në vështirësi. Nuk më kanë kërkuar as opinion, kemi diskutuar për çështje të tjera. Është një nga çështjet e rëndësishme të familjes sonë politike, por jam shmangur sepse kam miq nga të dyja anët. I vetmi koment që mund të bëjë është se shpresoj që në datën 3 gjykata të përfundojë procesin, të shqyrtojë ne procedurë e lëndë. Shpresoj të mbyllet atë ditë dhe të përfundojë grindja dhe energjia negative brenda familjes sonë. Të fokusojnë energjitë pozitive drejt atij procesi për të cilët janë zgjedhur nga 600 mijë votues dhe më shumë se 100 mijë anëtarë të PD që kanë zgjedhur drejtuesit për t’i udhëhequr në betejën politike kundër kundërshtarit politik.

Nisida Tufa: Data 4, të nesërmen e vendimit të gjykatës. Ç’mund të ndodhë me grupin që merr dhe me atë që nuk merr të drejtë nga gjykata.

Eduard Halimi: Shpresoj që në datën 4 e gjitha energjia negative të kthehet në energji pozitive për fushatën.

Nisida Tufa: Mendoni se gjykata do ta shohë në procedurë nëse Alibeaj ka të drejtë të marrë pjesë në Apel, apo do ta shohë në themel?

Eduard Halimi: Shpresoj t’i bëjë të dyja, pra të shohë edhe në procedurë edhe në meritë e të japë një përgjigje përfundimtare.
Një përgjigje as mish as peshk do vijonte pjesën e diskutimeve brenda PD, dhe të gjithë e dimë që tashmë PD nuk është më mirë se para një viti. Të mos zvarritet procesi.

Nisida Tufa: A është dëmtuar PD? Në 3 mars ka edhe protestë të thirrur nga Berisha.

Eduard Halimi: Ndjehesh keq kur sheh familjen politike në një situatë të tillë. Nuk është e lehtë për një forcë politike t’i rezistojë tre humbjeve rresht. Mungesa e një rotacioni prej tre mandatesh, sjell në mënyrë të padiskutueshme vendosjen e një e sistemi despotik autoritar. Është e vështirë për një parti politike që pasi ka humbur tre herë të ringrihet e të organizojë një numër kaq të madh individësh sepse simpatizantët kur shohin që ka humbur 3 herë rresht e kanë të vështirë të gjejnë motivin. Por shoh se ka një energji që njerëzit sërish mblidhen dhe duan ndryshimin, është një energji e mirë. Energjitë brenda nuk janë të absorbueshme as nga simpatizantët e thjeshtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: