NGA AURORA KOROMANI

TIRANE- “Arrest me burg” për pronarin e ëmbëltores në të cilën pak ditë më parë shpërtheu një bombol gazi. Këtë masë ndaj 67- vjeçarit Abdulla Dervishi e ka kërkuar organi i akuzës, ndërsa kanë qenë gjykatësi i çështjes, Agron Zhukri dhe prokurori, Valentin Preçi ata të cilët ia kanë komunikuar arrestin pronarit të pastiçerisë, ku pas shpërthimit të fuqishëm u plagosën 20 persona.

SEANCA
Burime pranë organit të prokurorisë bëjnë me dije se seanca e cila ka zgjatur për afro 30 minuta është zhvilluar në dhomën e spitalit në pavijonin e Djegieve në QSUT, aty ku Dervishi është i shtruar pas plagëve që ka në trup. Rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, prokurori i çështjes dhe gjyqtari për pak çaste e kanë transferuar seancën e dhënies së masës së sigurisë në QSUT, për t’i komunikuar 67-vjeçarit masën e sigurisë “arrest me burg”. Mësohet se Dervishi është pyetur edhe njëherë për atë që ka ndodhur në ëmbëltoren e tij, ndërsa ai ka sqaruar se gjithçka ka ndodhur teksa ka hapur valvulën e bllokuar të bombolës së gazit.

“Gjithçka ndodhi kur po hapja valvulën e bombolës së gazit. Më pas situata doli jashtë kontrollit dhe unë nuk mbaj mend asgjë se çfarë ndodhi”, – mësohet të jetë shprehur pronari i ëmbëltores gjatë marrjes në pyetje nga prokurori. Nga të dhënat e deritanishme të hetimit, Dervishi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “shkeljes së rregullave të sigurisë teknike, me pasojë plagosjen dhe rrezikimin e qytetarëve”, si dhe “shkatërrimin e pronës nga pakujdesia”. Meqë 67-vjeçari është tashmë jashtë rrezikut për jetën, ai do të gjykohet me këtë masë sigurie, ndërsa do të jetë nën mbikëqyrjen policore derisa të dalë nga spitali.

NGJARJA
“Një nga punonjësit e lokalit ka tentuar të hapë me dorë rubinetin e bombolës, por meqenëse nuk ka mundur ta hapë, i ka kërkuar ndihmë pronarit, Abdullait që ta hapë atë. Pasi Abdullai ka shkuar dhe është munduar që ta hapë bombolën e gazit, është ndjerë rrjedhje gazi. Pas pak momentesh, ai ka thirrur që të uleshin automatet e rrjetit elektrik. Në këtë moment ka ndodhur edhe shpërthimi”, citohet në materialin e organit të akuzës. Ndërkohë, mësohet se nga ana e policisë gjyqësore në bashkëpunim me ekspertët kriminalistë, ekspertët xhenierë dhe zjarrfikës, është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, në të cilën u konstatua se lokali ishte i shkatërruar, dyert, dritaret e saj ishin të hequra dhe të thyera, materiale të pastiçerisë, pajisje të saj ishin të shpërndara dhe të hedhura në mënyrë të çrregullt në ambientin e lokalit dhe jashtë saj.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë konstatuar 6 bombola gazi të pashpërthyera të përmasave të ndryshme, ndërsa ngjitur me murin e këtij lokali u gjetën dy soba gazi gatimi; pranë tyre qëndronin tubat e impiantit të shpërndarjes së gazit. Pas shpërthimit, u plagosën 20 persona, mes të cilëve edhe pronari i ëmbëltores dhe bashkëshortja e tij, ndërsa u dëmtuan edhe shumë biznese të tjera përreth lokalit të shkatërruar pas shpërthimit. Disa herë banorët e kësaj zone janë shprehur se kanë bërë disa ankesa pranë policisë dhe bashkisë nga frika e bombolave që ndodheshin në pastiçeri, por ankesat e tyre me sa duket kanë rënë në vesh të shurdhët, derisa të dielën ajo që ishte paralajmëruar me kohë ndodhi.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb