Zhvillimet rreth procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Hagës dhe lëvizjet ushtarake të Serbisë në rajon kanë nxitur reagimin e ish-deputetit Azgan Haklaj, i cili thekson se ndërsa faktori ndërkombëtar dhe Beogradi bëjnë kalkulime politike, vullneti popullor shqiptar e ka dhënë verdiktin e tij për pafajësinë e drejtuesve të UÇK-së.
Haklaj nënvizon se pas rrëzimit të tezës për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, përballja juridike në Hagë është zhvendosur te përgjegjësia individuale. Ai paralajmëron se kjo formulim nuk duhet të shndërrohet në një mekanizëm për të prodhuar dënime të pjesshme pa prova konkrete. Paralelisht me këtë proces, ai ngre shqetësimin për stërvitjen ushtarake serbe “Pobednik 2026” në rrafshnaltën e Pešterit, ku janë angazhuar mbi 2,000 trupa ushtarake dhe 500 mjete të blinduara e luftarake.
Sipas tij, Beogradi po përpiqet të shfrytëzojë çdo skenar të mundshëm të vendimit të Hagës, ndërsa në bashkërendim me Mosken synon të rishkruajë narrativën e vitit 1999. Haklaj rikujtoi bilancin e krimeve serbe në Kosovë — me rreth 13,500 të vrarë, 800 mijë të dëbuar me dhunë dhe 20 mijë gra e vajza të dhunuara — duke theksuar se ndërhyrja e NATO-s dhe SHBA-së erdhi si përgjigje ndaj spastrimit etnik dhe katastrofës humanitare.
Në përmbyllje, ai bëri thirrje që shqiptarët të kërkojnë drejtësi historike për të gjitha krimet e kryera ndaj tyre ndër shekuj, përfshirë masakrat e Bihorit, Tivarit dhe tragjedinë e Çamërisë. Duke iu referuar marshimit të mbajtur në Prishtinë, Haklaj deklaroi se përballë kalkulimeve strategjike të të tjerëve, kombi shqiptar e ka shpallur tashmë verdiktin e tij për pafajësinë e çlirimtarëve.
Deklarata e plotë
HAGA KALKULON, SERBIA KALKULON!
Shqiptarizmi vendosi në sheshin Skenderbeu në Prishtinë:
ÇLIRIMTARËT SHPALLEN TË PAFAJSHËM!
Aty ku Eposi i Kreshnikëve dhe lahuta e dhomave tona ruajnë ritmin e gjakut arbëror, historia nuk shkruhet vetëm me bojë pendësh, por me qëndresë.
Haga ka hyrë në fazën e kalkulimeve për fatin e akuzave ndaj çlirimtarëve të Kosovës atyre që qëndruan përballë makinerisë gjakatare të Sllobodan Millosheviçit.
Haga ka projektuar disa skenarë:
Lirohen të gjithë; dënohen nga pak të gjithë; ose dikush lirohet dhe dikush mbetet.
Çdo variant do të prodhojë një realitet të ri juridik dhe politik.
Por ndërsa Haga kalkulon mbi prova dhe përgjegjësi individuale, Beogradi kalkulon skenaret në terren.
Në rrafshnaltën e Pešterit, në hapësirën e Pazarit të Ri, Serbia po zhvillon stërvitjen e madhe ushtarake “Pobednik 2026”. Më 11 shtator, ministria serbe e mbrojtjes konfirmoi angazhimin e mbi 2000 pjesëtarëve të ushtrisë së Serbisë dhe mbi 500 mjeteve kryesore të teknikës luftarake.
Stërvitja përfshin forca tokësore, aviacionin, mbrojtjen ajrore, forca speciale, mjete të blinduara, artileri, sisteme raketore dhe mjete pa pilot.
Kjo nuk është provë se stërvitja synon Kosovën dhe një lidhje e tillë nuk duhet bërë pa prova.
Por është fakt se Serbia po demonstron kapacitete të konsiderueshme ushtarake në një hapësirë me rëndësi strategjike për rajonin.
Pra, dy kalkulime zhvillohen paralelisht:
Haga kalkulon vendimin, Serbia kalkulon skenarët.
Nëse çlirimtarët lirohen, Beogradi do të duhet të përballet me një realitet të ri politik e narrativ.
Nëse disa dënohen dhe mbeten në burg, Serbia do të ketë mundësi ta përdorë vendimin si kapital politik e propagandistik.
Dhe nëse ndodh një vendim i ndërmjetëm, dikush del, dikush mbetet, edhe atëherë Beogradi do të kalkulojë se si ta shfrytëzojë rezultatin.
NGA HEQJA E “NDËRMARRJES SË PËRBASHKËT KRIMINALE” TE PËRGJEGJËSIA INDIVIDUALE!
Heqja e akuzës për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” ndryshon edhe boshtin e betejës juridike.
Përballja zhvendoset drejt përgjegjësisë individuale: Çfarë ka bërë konkretisht secili, çfarë prove ekziston ndaj tij dhe nëse ajo provë e mbështet përgjegjësinë penale individuale.
Por pikërisht këtu qëndron edhe shqetësimi politik: “Gjykohen si individë” por ky veprim mund të shndërrohet në një taktikë për të bërë të mundshme dënime të pjesshme ose të veçuara.
Prandaj beteja nuk është vetëm për një verdikt të përbashkët.
Është edhe për të mos lejuar që përgjegjësia individuale të përdoret si mekanizëm për të ndarë çështjen dhe për të legjitimuar dënime të veçuara pa prova konkrete ndaj secilit.
Çlirimtarët janë të pafajshëm derisa fajësia individuale të provohet me prova konkrete dhe të verifikueshme.
Për vite me radhë, në themel të kësaj narrative janë vendosur edhe libri i Carla Del Ponte-s dhe deklaratat e Dick Marty-t.
Por një pretendim i publikuar apo një deklaratë politike nuk është vetvetiu provë gjyqësore.
Ajo që kërkohet është prova e verifikueshme, e administruar dhe e testuar në proces.
Prandaj, pas heqjes së tezës së “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, përgjegjësia individuale nuk mund të shndërrohet në një mekanizëm për të prodhuar dënime të pjesshme ose të veçuara pa prova konkrete ndaj secilit.
Individi gjykohet për veprën e tij.
Një popull nuk gjykohet për historinë e tij.
Një luftë çlirimtare nuk mund të vendoset në bankën e të akuzuarve bashkë me individët.
Çlirimtarët nuk mund të dënohen mbi hijet e akuzave.
Ata gjykohen mbi prova.
Dhe aty ku prova nuk ekziston, nuk mund të ketë dënim.
DREJTËSIA DHE POLITIKA!
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka kërkuar respektimin e vendimit të Speciales, duke kujtuar edhe hapësirën e apelimit. Kjo dekleratë synon qetësimin e situatës që krijohet pas këtij vendimi që vendosen fatet historike të panshqiptarizmit dhe sllavizmit! E theksoj dhe njëhei se ky është një mesazh që synon të qetësojë situatën:
Vendimi duhet respektuar, por procesi juridik nuk përfundon domosdoshmërisht me shkallën e parë.
Dhe pikërisht këtu duhet ndarë qartë drejtësia nga politika, përgjegjësia individuale nga fati i një kauze kombëtare dhe vendimi gjyqësor nga interpretimi politik i tij.
Historia e luftës për çlirimin e Kosovës nuk mund të gjykohet në tërësi përmes një procesi ndaj individëve.
Tani Haga po merr vendim për çlirimtarët si individë me qëllim për tu dhënë denim patjetër.
Lufta për çlirimin e Kosovës është një kapitull historik.
SERBIA KALKULON EDHE PËR PËRMBYSJEN E NARRATIVËS SË VITIT 1999!
Por kalkulimi i Beogradit nuk mbaron te Kosova.
Në bashkërendim politik me Moskën dhe në funksion të narrativës së saj historike, Serbia kërkon prej vitesh ta përmbysë kuptimin e vitit 1999:
Ta zhvendosë vëmendjen nga krimet, dëbimet dhe spastrimi etnik i shqiptarëve të Kosovës të bombardimet e NATO-s dhe ta vendosë vetë NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara në bankën e të akuzuarve të historisë.
Mos të harrohet kurrë çfarë ndodhi në Kosovë.
Rreth 13500 njerëz u vranë, rreth 800 mijë shqiptarë u dëbuan me dhunë nga Kosova, mijëra mbetën të zhdukur, mes tyre edhe fëmijë ndërsa 20 mijë gra dhe vajza shqiptare u përdhunuan.
U kryen gjithashtu mbi 100 vrasje masive dhe masakra.
Kjo është pika nga e cila duhet të nisë çdo diskutim serioz për vitin 1999.
Së pari ishte represioni, ishin vrasjet, ishin dëbimet.
spastrimi etnik.
Pastaj erdhi ndërhyrja e NATO-s.
NATO dhe Shtetet e Bashkuara ndërhynë për të ndalur katastrofën humanitare që po zhvillohej në Kosovë.
Prandaj, përpjekja për ta kthyer sot NATO-n dhe SHBA-në nga ata që ndalën katastrofën në “të akuzuarit” e historisë është një përpjekje për të përmbysur narrativën:
Agresori të paraqitet si viktimë,
viktima të relativizohet,
dhe ata që ndërhynë për ta ndalur katastrofën të vendosen në bankën e të akuzuarve.
Kjo nuk është vetëm betejë për të shkuarën.
Është betejë për kujtesën historike dhe për të ardhmen.
GJYQI I HISTORISË NUK KA AFAT PARASHKRIMI!
Ka ardhur koha që shqiptarët ta bëjnë edhe gjyqin e historisë, jo gjyqin e popujve, por gjyqin e krimeve, të ideologjive, të regjimeve dhe të autorëve që kanë ushtruar dhunë mbi shqiptarët.
Sepse historia nuk mund të ketë dy peshore.
Ndërsa sot në Serbi rehabilitohen figura të së kaluarës si Drazha Mihajlloviçi dhe Pavle Gjurisiçi, ndërsa Ratko Mlladiçi glorifikohet nga qarqe nacionaliste, shqiptarëve nuk mund t’u kërkohet të harrojnë viktimat dhe të heshtin përballë përpjekjeve për ta rishkruar historinë.
Kjo nuk është luftë kundër popujve.
Është përballje me krimin, mohimin dhe rehabilitimin e kriminelëve.
Historia shqiptare ka regjistruar tragjedi të rënda edhe shumë përpara Kosovës:
Masakra e Bihorit, më 1943, ku u vranë mijëra njerëz, vrasje civilësh mes tyre shumë gra dhe fémijë.
Tragjedia e shqiptarëve të Çamërisë, më 1944, me vrasje, dëbime dhe spastrim të popullsisë shqiptare;
Masakra e Tivarit, më 1945, ku u vranë mijëra shqiptarë.
Këto nuk janë faqe që mund të grisen nga historia.
Nuk janë plagë që mbyllen me heshtje.
Dhe nuk janë kujtime që mund të zhduken nga propaganda.
Ka ardhur koha t’u bëjmë ne gjyqin e historisë atyre që kërkojnë të na bëjnë ne gjyqin e historisë.
Jo për hakmarrje.
Jo për të gjykuar popuj të tjerë.
Por për të kërkuar të vërtetën, kujtesën dhe drejtësinë historike.
Sepse krimet nuk zhduken duke i lënë në heshtje.
Viktimat nuk vdesin për herë të dytë kur kujtesa i mbron.
Dhe historia nuk mund të shkruhet vetëm nga fitimtarët e propagandës.
KUR FLET NJË KOMB!
Marshi “Krejt shqiptaria në marshin për liri!” nuk ishte thjesht një tubim.
Ishte shprehje e një qëndrimi popullor, e një ndjenje të fortë përkatësie dhe e fatit të përbashkët, si dhe një kërkesë e drejtpërdrejtë për lirinë e çlirimtarëve.
Megjithatë, një komb i gdhendur në stuhitë e shekujve nuk mund ta ndërtojë të ardhmen vetëm mbi kalkulimet e të tjerëve.
Prandaj, përballë çdo kalkulimi të jashtëm, shqiptarët duhet të kenë edhe kalkulimin e tyre politik:
Çfarë duan?
Çfarë mbrojnë?
Çfarë të ardhmeje kërkojnë?
Këtu merr kuptim ideja e referendumit panshqiptar, jo për zgjedhje partiake, jo si garë elektorale, por si shprehje e drejtpërdrejtë e vullnetit kombëtar për lirinë dhe për ata që sakrifikuan gjithçka për të.
KOMBI VENDOSI!
Në marsh, kombi foli.
Në referendum, kombi vendosi:
I SHPALLI TË PAFAJSHËM ÇLIRIMTARËT!
Kjo është përgjigjja politike e një kombi që nuk pranon që historia e tij të shkruhet vetëm nga të tjerët.
Sepse ndërsa Haga kalkulon mbi vendimin dhe Serbia kalkulon mbi pasojat, shqiptarët nuk mund të mbeten spektatorë të historisë së tyre.
Aty ku Eposi ynë ka ruajtur për breza kujtesën e qëndresës, aty ku lahuta ka përcjellë nga një brez te tjetri zërin e trimërisë, edhe sot një komb kërkon që historia e tij të mos shkruhet vetëm nga të tjerët.
HAGA KALKULON.
SERBIA KALKULON.
KOMBI SHQIPTAR VENDOSI.
ÇLiRIMTRËT TË PAFAJSHËM!
