Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së do të miratojë nesër listën zyrtare të arbitrave për të gjitha kategoritë në futbollin shqiptar. Edhe pse në fakt këtë duhet ta kishte bërë pa nisur sezoni 2017-2018, gjithçka është lënë për mbledhjen e nesërme, që pritet të nisë në orën 11:00.

Çështja më e diskutuar do të jetë për top-listën, teksa anëtarët e KE-së do të shqyrtojnë 18 emrat që janë propozuar nga sektori i gjykimit në FSHF, ku si përgjegjës prej një viti është Petrit Brahja. Që prej muajit maj të këtij viti, FSHF pezulloi pa afat dy gjyqtarë kryesorë: Lorenc Jemini dhe Andi Koçi. Madje këtyre të fundit iu hoq edhe stema e FIFA-s, teksa për momentin Shqipëria përfaqësohet në arenën ndërkombëtare vetëm me Enea Jorgjin, i cili gjithashtu gaboi fatalisht në Kukësi-Skënderbeu 2-0.
Për miratim nga Komiteti Ekzekutiv tashmë mbeten dy emra të tjerë që do plotësojnë treshen e kryesorëve që do të mbajnë stemën e FIFA-s. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se KE-së i është propozuar emri i Juxhin Xhajës dhe Eldorian Hamitit si zëvendësues të Lorenc Jeminit dhe Andi Koçit. Xhaja u afirmua në sezonin e kaluar në Superiore, gjithashtu edhe Hamiti.

Ndryshimi mes tyre është se kryesori nga Lezha e mbylli kampionatin me një arbitrim që i kushtoi në një masë të madhe rënien nga Kategoria Superiore klubit rekordmen të Tiranës. Në ndeshjen Skënderbeu-Tirana 1-0, Hamiti u mohoi një penallti neto bardhebluve. Hamiti u pezullua për atë gabim, ndërsa Tirana zbriti nga kategoria.

Këtë sezon lezhjani u rikthye që në javën e parë dhe sikur të mos mjaftonte gafa me bardheblutë, e bëri një tjetër nisje të dobët, duke dënuar njëkohësisht Luftëtarin dhe Teutën. Tashmë FSHF pritet ta ngrejë në detyrë, duke injoruar përfundimisht një prej arbitrave më të mirë të dekadës së fundit, Jemini.
Sipas të gjitha gjasave, ky i fundit nuk do përfshihet në asnjë listë për këtë sezon, duke vazhduar kështu pezullimin pa afat nga FSHF, edhe pse askush nga zyrtarët e lartë të institucionit nuk i ka dhënë sqarime 43-vjeçarit. E kundërta ndodh me Andi Koçin, i cili është falur pas pezullimit që iu bë për një penallti të padhënë në ndeshjen Kukësi-Vllaznia 0-0./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: