Shtyhet sërish seanca për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se seanca paraprake është shtyrë për shkak se gjyqtarja Irena Gjoka nuk ishte e pranishme, për arsye shëndetësore.

Llalla akuzohet nga SPAK për veprën penale të mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurisë.

Herën e kaluar seanca u shty pas kërkesës së avokatit mbrojtës për t’u njohur me dosjen. Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 9 korrik, ora 12:00.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Në përfundim të hetimeve paraprake, pasi janë kryer të gjitha veprimet e mundshme dhe të nevojshme hetimore, pasi janë vlerësuar të gjitha provat e administruara gjatë hetimeve, shtetasi Adriatik Llalla është marrë i pandehur dhe i është njoftuar akuza për kryerjen e veprës penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi (2) i Kodit Penal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb