GREQI- Zbulohen detaje të reja nga kapja e gomones me 1.6 ton drogë në Greqi të nisur nga Shqipëria. Ndonëse nuk jepen identitetet e plota të skafistëve, burime për “BalkanWeb” bënë me dije se 2 nga skafistë janë nga Saranda dhe i treti është italian.

Dy personat nga Saranda janë djem të rinj me precedentë penalë, ndërsa skafisti italian është 62 vjeç, i skeduar për trafik narkotikësh. “BalkanWeb” mëson gjithashtu se ky ishte një grup i strukturuar kriminal dhe se të tre këta persona kanë kryer trafik edhe më parë me gomonen e kapur.

Po kështu burimet thanë se njëri nga skafistët, sarandiot 32 vjeç ka plagë me plumb në shpatull. Policia greke arriti të kapë gomonen me tre motorë pas një operacioni 48 orësh ku u angazhuan në det të hapur forca të shumta policie, rojës bregdetare, FRONTEX me helikopter dhe mjete ujore.

Policia greke iu kishte vendosur GPS në gomone skafistëve, çka tregon se hetimet po bëheshin prej kohësh dhe policia ishte në dijeni të aktivitetit të paligjshëm të trafikut të drogës. Sipas të dhënave, trafikantët kanë kryer 3 rrugë me këtë gomone.

Pjesëtarët e këtij grupi kanë pasur një konflikt disa ditë më parë në Greqi por kur ka shkuar policia aty janë shpërndarë. Gomonen pasi mbaronin pune e parkonin në një port grek dhe aty ka shkuar policia u ka vënë GPS.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: