TIRANE – Rreth 180 mijë dollarë i janë grabitur me dhunë një personi, pasditen e djeshme në kryeqytet. Ngjarja ndodhi në rrugën “Dervish Hima”, përpara lulishtes së hotel “Sheraton”, në Tiranë.

Burime zyrtare nga policia e Tiranës kanë dhënë detaje rreth ngjarjes së rëndë, duke theksuar se grupi hetimor po vazhdon punën për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të kësaj vepre penale

“Më datë 26.04.2016 rreth orës 16:00, në rrugën “Dervish Hima”, tek ambientet e jashtme të një biznesi lokal, ka ndodhur një grabitje me dhunë, ku është marrë një shumë e konsiderueshme vlere monetare. Nga hetimet paraprake dhe këqyrjes së kamerave në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se shtetasve S. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë arkëtar i një firme këmbimi valutor, B. Xh., 55 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën e shoqëruesit të vlerave monetare të kësaj pike këmbimi valuator, në momentin që kanë dalë nga një bankë e nivelit të dytë, u janë afruar dy persona pa maska dhe pa armë, ku njëri nga dy autorët e kësaj ngjarje i ka marrë çantën me shumën monetare shtetasit S. H., ndërkohë bashkëpunëtori ka goditur me shkelm shoqëruesin, shtetasin B. Xh dhe janë larguar me vrap drejt motorit që e kishin lënë vetëm pak metra më larg.”- thuhet në njoftimin e policisë.

“Grupi hetimor po vazhdon punën për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë së autorëve të kësaj vepre penale. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga Neni 139/25 i Kodit Penal.”- bën të ditur policia.

Dëshmitë
Përveç Sajmir Hasanit, në ambientet e komisariatit numër 1 në Tiranë janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje edhe disa persona të tjerë. Burime pranë hetuesve të kësaj ngjarjeje sqaruan për “GSH” se të shoqëruar kanë qenë personi që e shoqëronte Hasanin, arkëtari, si dhe roja i firmës që është grabitur.

Gjithashtu, deri në orët e vona të mbrëmjes, policia ka shoqëruar rreth 14 persona si të dyshuar dhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Të njëjtat burime pohuan se gjatë dëshmisë që Hasani dhe shoqëruesi i tij dhanë në polici, kanë thënë se nuk kanë mundur të identifikojnë asnjë prej autorëve.

Ndërkohë, një prej dëshmitarëve okularë ishte edhe gazetari Artan Hoxha, i cili pohoi për “News 24” se e gjithë skema ndodhi si nëpër filma. “Një djalë me pistoletë në dorë drejtohet tek ata dhe bërtet: “Dorëzoni paratë”. Motori me dy djemtë kishte lëvizur disa herë para hotelit duke monitoruar situatën. Pra, grabitësit kanë pasur informacion se do të bëhej një transfertë parash, në sasi të konsiderueshme”, tha Hoxha.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: