Vetting
Prej 3 dekadash, Sefedin Shefa nga Lushnja endet sa në një gjykatë në tjetrën për të kërkuar pronën e tij. Një histori që tashmë është bërë publike, ndonëse është një nga rastet më ekstreme. Nëse prokuroria e Lushnjes dhe Gjykata e kanë humbur toruan, ata janë korigjuar nga gjykata e apelit por edhe nga Gjykata e Lartë. Ndërkohë që Sefa vazhdon të mos i gëzohet pronës së tij, ata që i morën pronën me letra të falsifikuara sipas prokurorisë dhe Gjykatës vazhdojnë të mbajnë “peng” pronën e tij.
Sipas Sefedin Shefës: “Pronën e ka blerë babai im nga shtetasi Ferit Vokopola me 4 Tetor 1958. Me 4 nëntor 1958, kohë Këshilli Popullor të Lushnjës, vendosi shpronësimin e kësaj prone të babait tim me objekt ndërtimin e kinemasë Dimërore Lushnje.”
Dhe pas 31 vitesh beteje ligjore dhe përballjesh me institucionet, Sefedini i është drejtuar medias, duke kërkuar nga emisioni “Vetting” të sjellë gjithë sagën e historisë së tij. Sipas dokumenteve që “Vetting” ka siguruar, pala tjetër kishte falsifikuar kontratën e shitjes, autorizimin e shitjes së objektit dhe gent planin e truallit në objekt. Nga 433 metra katrorë që doli në shitje në ankand si ish-kinemaja dimrore Lushnje, rezulton me rritje të sipërfaqes. Totali i pronës së grabitur shkon jo pak, por plot 686 metra katrorë në qendër të Lushnjes, edhe pse pronë e familjes Shefa.
Kjo detyroi Sefedinin t’i drejtohej Prokurorisë së Lushnjës në Prill 2010, ku denoncoi faktin e falsifikimit të dokumenteve nga Ferit Tabaku dhe Faslli Turku. Pas hetimeve të kryera nga prokuroria Lushnje, për Tabakun dhe Turkun u provua se ata ishin autorët e falsifikimit të dokumenteve. Gjatë hetimeve rezultoi se dokumentet që u falsifikuan nga ana e punonjësit të Agjencisë Kombëtare të Privatizimit, Fazlli Turku, ishin përdorur më pas nga ana e Ferit Tabakut për privatizimin e ish-kinemasë në Lushnje.
Pavarësisht se prokuroria Lushnje pushoi çështjen penale, sanksionet në lidhje me dokumentacionin e falsifikuar dhe fatin e tyre nuk ndryshuan asgjë me kushtet e një vendimi gjyqësor të formës prerë, që deklaron fajtorin autorin e tyre. Vlen të theksohet në këtë pjesë ngërçi që u krijua dhe vendimi i pushimit në ngarkim të falsifikatorëve të këtyre dokumenteve. Kjo ndodhi për faktin se, pavarësisht, ata nuk i kaluan dhe nuk u dënuan nga gjykata për shkak të parashkrimeve të ndjekjes penale, duke qenë se kishte kaluar një kohë e gjatë, ky vendim është i njëjtë me vendimin ligjor të fajësisë dhe duhej të zbatohej, edhe pse i përket pasojave në lidhje me dokumentet që rezultuan të falsifikuara.
Këtë fakt e ka pranuar edhe gjykata, e cila mbi ankimin e palëve për vendimin e pushimit e ka përligjur atë si një vendim penal të formës prerë, kur ka lënë në fuqi vendimin e pushimit dhe ka kërkuar si pjesë të këtij vendimi fshirjen e dokumenteve të falsifikuara. Sikurse rezulton, vendimi i gjykatës Apelit Nr. 225 datë 02 Tetor 2020 mori vendimin për asgjësimin e dokumenteve, të cilat ishin autorizim shitje, kontratën e shitjes dhe gent plan. Pasi këto dokumente, edhe pse ishte marrë vendimi nga prokuroria më parë, nuk ishin asgjësuar dhe ndodheshin në institucionet shtetërore.
Me marrjen e këtij vendimi të formës prerë me datën 14 Janar 2020, në zbatim të kritereve të kodit të procedurës penale Nr. 462 vijues, u vendos ekzekutimi nga prokurori i Lushnjës, Artan Azbi. Sipas ekspertëve, në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, pa pasur asnjë shkak dhe i kundërshtuar nga një person i palegjitimuar, është bërë objekt i ankimit në gjykatë, urdhri i ekzekutimit të vendimit të formës së prerë.
Procedura e ndjekur në rastin konkret, duke pasur parasysh edhe objektin e ekzekutimit, është në shkelje të hapur të ligjit dhe tregon inferioritetin e organeve të drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatës, të cilët, si dhe në rastet e tjera, janë munduar t’i bëjnë qejfin falsifikatorit Ferit Tabaku duke e pajisur me vendime ekstra procedurale. Kjo zgjidhje, në kundërshtim me ligjin, vetëm për t’i dhënë atij kohë dhe hapësirë, hedh dyshime mbi zellin e organeve të drejtësisë në Lushnje për të lënë të lirë personat që shkelin ligjin apo që përfitojnë prona me dokumente të falsifikuara.
Sipas Shefës, “Ferit Tabaku kërkoi që ekzekutimi i vendimit për asgjësimin e dokumenteve të falsifikuara që u bë nga ana e prokurorit të Lushnjës Artan Azbi të pezullohej.” Me datën 24 Shkurt 2002, ish-gjyqtarja e shkallës parë Lushnje, Lorena Çabej, e pezulloi vendimin e formës prerë për asgjësimin e dokumenteve të falsifikuara, pasi kërkesës së Ferit Tabakut, i dënuar për falsifikim.
Procedura e ndjekur në këtë rast nga gjykata Lushnje, u hodh poshtë nga gjykata e Apelit Vlorë. Kjo gjykatë, me vendim Nr. 225, datë 2 Tetor 2020, hodhi poshtë vendimin e dhënë nga gjyqtarja e Lushnjës, Lorena Çabej, dhe vendosi lënien në fuqi të vendimit gjyqësor penal Nr. 131, datë 23 dhjetor 2019, të gjykatës së rrethit gjyqësor Lushnje. Vendimi i Apelit në Vlorë cilësoi se dokumentet e falsifikuara nga ana e Faslli Turkut dhe Ferit Tabakut duhet të asgjësoheshin.
Ky vendim i formës së prerë është vënë në ekzekutim nga Prokuroria e rrethit gjyqësor Lushnje, me Urdhërin e ekzekutimit Nr.02, datë 14.01.2020, të prokurorit Artan Hazbiu. Urdhri është ekzekutuar nga OPGJ, sipas procesverbaleve përkatëse në institucionet përgjegjëse, si Arkivës në Bashkinë Lushnje, Drejtoria e përgjithshme e pronës publike, datë 16.04.2021, ASHK, zyra rajonale Lushnje, datë 13.01.2021, është bërë fshirja e dokumenteve të falsifikuara, duke njoftuar dhe institucionet përkatëse, sipas vendimit gjyqësor (kontrata e shitjes, gent plani i kinemasë, autorizimi për shitje).
Ndaj vendimit të formës së prerë (gjykatës së Apelit Vlorë), personi nën hetim Ferit Tabaku ka ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë Tiranë, dorëzuar me datë 16.11.2020, duke mos qenë dakord me vendimin e dhënë nga gjykata e Apelit Vlorë dhe kërkon prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes. E thënë ndryshe, Tabaku kërkon rivendosjen e dokumentave të falsifikuara dhe të asgjësuara sërish nëpër institucionet shqiptare, ndërkohë që ai pikërisht për këtë vepër penale të falsifikimit është dënuar me vendim të formës së prerë.
Tani Sefedin Shefa pret të vendoset drejtësia dhe ligji të veprojë sipas normave dhe jo sipas dëshirave, duke e rikthyer pronën e tij, e cila u grabit para syve të tij. “Kam shumë shpresë se do t’i kthehet pronës dhe atyre që abuzuan me ligjin do t’u jepet dënimi përkatës.”