Në një analizë të detajuar mbi përfaqësimin e grave në politikën shqiptare, Edlira Çepani, aktiviste e njohur për të drejtat e grave dhe përfaqësuese e lëvizjes për barazi gjinore, e ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka ngritur shqetësimin për pabarazinë që vazhdon të ekzistojë midis numrit të grave që votojnë dhe atyre që janë të përfaqësuara në pozita drejtuese në politikë.
Çepani ka theksuar se, ndërsa gratë përbëjnë 50% të votuesve në Shqipëri, ato vazhdojnë të jenë në numër të vogël në pozita kyçe brenda partive politike dhe institucioneve shtetërore.
Sipas saj, në listat e përgjithshme të 11 partive që garojnë për zgjedhjet e 11 majit, përfaqësimi i grave është vetëm 37%.
“Në listat e përgjithshme të 11 partive, janë 37% vajza dhe gra. Kjo përqindje është larg asaj që duam të arrijmë, duke pasur parasysh se 50% e votuesve janë femra”, ka deklaruar Çepani, duke shprehur shqetësimin e saj për mospërfaqësimin e grave në pozita të rëndësishme politike dhe drejtuese.
Një nga çështjet kryesore që Çepani ka ngritur është mungesa e mundësive financiare dhe mbështetjes nga partitë politike për gratë që duan të angazhohen në karriera politike.
“Gratë marrin 0 lekë nga partitë përkatëse. Kanë 0 akses në financa” tha Çepani në emisionin “Log”.
Edlira Çepani: Në listat e përgjithshme të 11 partive, janë 37% vajza e gra.
50 përqind e votueseve janë femra. Sa anëtarë të partive janë vajza e gra, a janë 50%. Gratë marrin 0 lekë nga partitë përkatëse.
Kanë 0 akses në financa. Jemi detyruar të fusim një kuotë që gratë të marrin 10 % nga buxheti i shtetit. Ka një pr.ligj që të detyrojmë partitë ta respektojnë.
Nuk kam bërë kurrë pjesë në lëvizje politike. Ajo që shohim është se ne monitorojmë programet, statutet e partive, monitorojmë kandidatët. Aty ku ne kemi futur kuota, rritja e përfaqësimit e grave ka qenë eksponenciale. Në 2017, 2020 po ashtu. Sepse është e detyruar me ligj. Aty mbetet në vullnetin e partive politike për të zgjedhur kandidatët gra.
Vullneti i partive politike për të vendosur gra në pozitat drejtuese nuk është aty ku ishte.
(BalkanWeb)