Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se Uashingtoni do të reagojë nëse rebelët Huthi në Jemen vendosin të bllokojnë trafikun detar në Detin e Kuq, pas kërcënimeve për një bllokadë detare që mund të ndikojë në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit global.

Duke folur nga Zyra Ovale përpara takimit me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, Trump u pyet nga gazetarët për njoftimin e Huthitëve lidhur me një bllokadë të mundshme detare pranë ngushticës Bab al-Mandab.

“Deri më tani, kjo nuk ka ndodhur. Mund të ndodhë, por ne kujdesemi për gjërat. Nëse ndodh diçka e tillë, do të merremi me të”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan shtoi se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Huthitëve nuk kanë qenë problematike kohët e fundit.

“Ne nuk kemi pasur problem me Huthitët. Ata nuk kanë pasur problem me ne për një periudhë të gjatë kohore, përfshirë edhe gjatë këtij konflikti”, tha ai.

Gjatë deklaratës së tij, Trump u ndal edhe te situata në Liban, duke theksuar se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë vendin në përpjekjet për t’i dhënë fund tensioneve mes Hezbollahut të mbështetur nga Irani dhe Izraelit.

“Ne do ta ndihmojmë shumë Libanin. Do të zgjidhim shumë probleme. Disa prej tyre i kemi zgjidhur tashmë. Ekziston një problem me Hezbollahun, por kemi bërë disa gjëra që mendoj se bota do t’i vërë re. Libani ka qenë një vend shumë i keqtrajtuar dhe ne do ta trajtojmë me respektin që meriton”, u shpreh Trump.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb