ZVICER- Disa ushtarë zviceranë kanë ‘thyer’ rregullat, pasi kanë vendosur në uniformat e tyre stemën e Skënderbeut, heroit tonë kombëtar dhe flamurin shqiptar. Megjithatë, bëhet fjalë për një shkelje të lehtë dhe se ushtarët do të marrin vetëm dënim disiplinor. Fotot janë postuar në rrjetet sociale, ndërsa bëhet fjalë për ushtarë zviceranë, por me prejardhje shqiptare.

Mediat zvicerane (20 minuten, blick.etj) kanë publikuar fotot, shkruan albinfo.ch. Zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Reist pohoi për mediat zvicerane se raste të tilla kur në vend të shenjës zyrtare, ushtarët vendosin diçka personale janë të njohura dhe ndodhin shpesh. Por ai ka thënë se një ndryshim i tillë i uniformës nuk është i lejuar. “Në uniformat ushtarake të Zvicrës ushtarët guxojnë të vendosin ekskluzivisht vetëm shenjat zyrtare të njësisë ku veprojnë”, ka thënë zëdhënësi.

Megjithatë, ai ka thënë se bëhet fjalë për një shkelje të lehtë, ndërsa dënimi ndaj ushtarëve do të jetë disiplinor. Pak muaj më parë mediat zvicerane kishin marrë në fokus disa ushtarë dhe ushtare me prejardhje shqiptare që kishin bërë shenjën e shqiponjës me duar. Ndërkohë, një rast i tillë u regjistrua në Greqi, ku rekrutë me prejardhje shqiptare bënë me duart shqiponjën, ndërsa u dënuan me 30 ditë burg.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb