Dy refugjatë sirianë janë dhunuar dhe vjedhur në qytetin e Korçës nga 4 persona. Gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se sirianëve iu janë vjedhur telefonat dhe e gjitha vlera monetare që kishin me vete. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 8 të qytetit, ndërkohë që policia ka arrestuar autorët e ngjarjes.

Po kështu policia thotë se janë autorë edhe të 2 vjedhje të tjera me dhunë ndaj të huajve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, gjatë patrullimit të tyre kanë konstatuar në qytetin e Korçës, dy shtetas të huaj të cilët i kanë kërkuar ndihmë punonjësve të Policisë, pasi disa shtetas që iu kishin premtuar kundrejt fitimit transportimin drejt Tiranës, i kishin kanosur këta të fundit dhe pasi i kishin dhunuar fizikisht iu kishin vjedhur 3 aparate celulari, 350 euro, si edhe çantat e tyre personale.

Falë veprimeve të shpejta, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje konkretisht shtetasve:
M. R., 19 vjeç, banues në Korçë
K. D., 20 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë.
A. G., 19 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë.
K. I., 19 vjeç, banues në Korçë.

Në vijim të hetimeve të kryera nga ana e specialistëve për Hetimin e Krimit, dyshohet se shtetasit e mësipërm, janë autorë të dyshuar edhe të dy ngjarjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Korçës, gjatë muajit dhjetor, ku kanë vjedhur me dhunë 4 shtetas të huaj, të cilëve iu kanë marrë 4 aparate celulare dhe shumën prej 440 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: