Në lidhje me konfliktin mes dy vëllezërve në fshatin Zharrës të Fierit për pronësinë e një parcele toke, Bashkia Patos pranon se nuk ka mundur të kryejë matje të plota për shkak të refuzimit të njërës palë.
Në një prononcim për emisionin “Tak Fak”, drejtori i Zhvillimit të Ekonomisë në Bashkinë Patos, Çajup Refataj, dhe përgjegjësi i sektorit të bujqësisë, Donald Xhafa, deklaruan se gjatë verifikimeve të kryera në parcelën e Hajet Braçes është konstatuar një mungesë prej rreth 400 metra katrorë tokë.
Megjithatë, vetë Hajet Braçe kundërshton këtë rezultat, duke pretenduar se sipërfaqja e munguar është rreth 1 dynym.
Për parcelën e Bashkimit, punonjësit e bashkisë thanë se nuk kanë mundur të kryejnë matje, pasi ai nuk ka lejuar hyrjen në pronën private.
Ata shtuan se për matjet e kryera nuk është hartuar procesverbal, pasi toka ende nuk është azhornuar dhe ekziston një mbivendosje me pronat e Albpetrolit, pretendim që edhe ky kundërshtohet nga Hajeti.
Sipas përfaqësuesve të bashkisë, matje të reja mund të kryhen vetëm gjatë procesit të azhornimit të tokës dhe nëse Bashkimi bie dakord të lejojë hyrjen në parcelën e tij.
Në të kundërt, ata sugjeruan ndjekjen e rrugëve ligjore, përmes kallëzimit në polici ose hapjes së një procesi gjyqësor.
Pas largimit nga bashkia, tentuam sërish të komunikonim me z. Bashkim, por ai refuzoi të fliste, duke mbyllur derën dhe deklaruar: “Nuk kam më çfarë të flas me ju. Unë kam hapur gjyq ndaj vëllait tim.’
