Florian Vrapi, banor i rrugës “Dritan Hoxha” në Tiranë, denoncon se prej vitesh përballet me probleme për legalizimin e banesës dhe truallit ku jeton që nga viti 1991.
Sipas tij, familja e tij banon prej 35 vitesh në një zonë që dikur ka qenë tokë e ushtrisë dhe pa pronar të regjistruar, ndërsa aktualisht territori është përfshirë në plane zhvillimi për ndërtimin e kullave.
Floriani pretendon se gjatë procesit të legalizimit, ALUIZNI kërkon t’i heqë 390 metra katrorë truall nga sipërfaqja që ai disponon dhe përdor prej dekadash.
Ai thotë se ka bërë kërkesa dhe ankesa të shumta pranë institucioneve përgjegjëse për të marrë një zgjidhje, por ende nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare.
Sipas qytetarit, procesi i legalizimit të objektit dhe truallit ka nisur që në vitin 2005 dhe prej atëherë çështja vijon të mbetet pezull.
Në vitin 2018, ai ka marrë edhe një përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t, në lidhje me kërkesat e paraqitura prej tij, por problematika sipas tij nuk është zgjidhur ende.
Banori shpreh shqetësimin se zvarritja e procesit dhe paqartësitë mbi truallin mund të lidhen me projektet e reja të ndërtimit në zonë, ku parashikohen ndërtime shumëkatëshe.
