Me 3200 artefakte të ekspozuara në dy kate, Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka rihapur dyert. Ai është restauruar në kuadër të programit BE për Kulturën një që restauroi e rijetëzoi dhjetëra objekte të trashëgimisë kulturore, pas tërmetit të 2019-ës. Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, u shpreh se ky projekt dëshmon se BE nuk është thjesht një strukturë burokratike, por një partner që promovon solidaritetin dhe zhvillimin.

“Ka nga ata që mendojnë se BE është thjesht një burokraci që zbukuron gjërat, por një program si ky sot tregon të kundërtën. Solidariteti është parim themelor i BE-së dhe ky program nuk lidhet vetëm me restaurimin e kulturës, por edhe me rigjallërimin e peizazhit natyror të vendit pas tërmetit. Tani u takon partnerëve shqiptarë që të marrin rolin udhëheqës që të mbajnë gjallë këto objekte të rigjallëruara”, tha Gonzato.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama, tha se Europa është mision kombëtar.

“Europa nuk është gjithmonë pa zemër, zemrën e ka, por e ka thellë dhe duhet durim e vullnet për ta arritur dhe për t’ia ndier rrahjes. Është e sigurt se ajo zemër rreh dhe për t’u bërë pjesë e qarkullimit të gjakut të asaj zemre është pjesë e misionit kombëtar yni që vjen nga një histori e gjatë, pjesë e së cilës është edhe ky muze si dëshmitar i saji”, u shpreh kryeministri.

Ministri i Kulturës, vuri në dukje ndërhyrjet e bëra, duke e cilësuar muzeun jo vetëm një koleksion objektesh, por një kontratë publike.

“Një muze i ri, restauruar plotësisht, ku mbi 3200 artefakte rrëfejnë të shkuarën në pavijonët e rikonceptuar, me elemente të teknologjisë që mundësojnë udhëtimin në kohë, brenda qytetit të gladiatorëve e të Mbretëreshës Teutë. Nuk po inaugurojmë thjesht një ndërtesë; ne po riinterpretojmë një hapësirë për të treguar historinë, qytetin, rajonin, Shqipërinë me një linjë muzeale ku  koleksioni nxjerr periudhat kryesore historike, ku spikat mbi të gjitha Bukuroshja e Durrësit, kthyer në shtëpi”, tha ministri Blendi Gonxhja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb