Viktor Martini, ish-i përndjekur politik, thotë se hapja e Dosjeve do të shkaktonte shumë probleme në shoqëri dhe do të kishte pasoja. Në një video të ndarë në Facebook, ai shprehet se është dakord që të hapen Dosjet, por vetëm për personat që duan të përfaqësohen në politikë.

Më tej, Martini thotë se më të privilegjuarit në hapjen e Dosjeve, do të jetë fëmijët e diktatorëve, pasi sipas tij, “diktatorët nuk kanë pas nevojë për me i vu filizat e tyre si informator”.

“Diskutime të mëdha po bëhen për mediat shqiptare për hapjen e Dosjeve. Disa herë kam shfaq mendimin tim për hapjen e Dosjeve. Hapja e Dosjeve në përgjithësi në popullin shqiptar, janë shumë të dëmshme dhe do të kenë pasoja morale dhe grindje të brendshme familjare dhe në rrethet e farefisit dhe shoqërore. Unë mendoj se duhet të hapen Dosjet vetëm atyre personave që duan të përfaqësohen në politikë, nëpër organet kyçe të pushtetet e deri tek më të voglat, këshillat e lagjeve.

Unë doja të thoja se më të privilegjuarit në hapjen e dosjeve do të jenë fëmijët e diktatorëve. Sepse diktatorët nuk kanë pas nevojë për me i vu filizat e tyre si informator.

Fëmijët e tyre janë të privilegjuar që kur të hapen dosjet atje ku duan ata. Është kollaj me rrah gjoksi e më thënë të hapim dosjet. Cilat dosje? Dosjet janë të përçudnume. Unë kam thënë dhe do ta them, që më i persekutuari ndër të persekutuarit, është spiuni që lindi në diktaturë, këtij i mori dinjitetin me dhunë. Diktatura është një dhunë. Është një njollë e zezë që ka shkaktuar shkatërrimin moral të një kombi, por është edhe një gomë që shlyn gabimet e turmës së madhe që krijoi diktatura”, shprehet ai ndër të tjera.

306555639 5797570103587977 8692411198762221209 N

Martini ka lindur në Korçë në vitin 1940, ndërsa baba i tij, Zef Martini, ishte oficer në kohën e Mbretit Ahmet Zogurt,  i cili pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist u arrestua me akuzën “Kryengritje e armatosur kundër regjimit popullor”, për të cilën u dënua me 15 vjet burg dhe ndërroi jetë në Burgun e Burrelit moshën 51-vjeçare.

Pas arrestimit të të atit, e gjithë familja e Martinit u përndoq dhe u persekutua, duke kryer në total 104 vjet burg.

Në moshën 16-vjeçare, Martini u arrestua dhe u dënua me shatë vjet burg si kreu i një grupi që synonte të arratisej nga vendi, kurse bashkëshortes se tij iu hoq mundësia për të ushtruar punën si mësuese.

Martini po ashtu ka qenë një nga organizatorët e protestës së 14 janarit të vitit 1990, ku mijëra banorë të Shkodrës u grumbulluan në qendër të qytetit me synimin për të rrëzuar monumentin e Stalinit.

Organizatorët e kësaj demonstrate u arrestuan nga Sigurimi i Shtetit dhe u liruan vetëm në marsin e vitit 1991. Që në fillim të viteve ’90, Viktori dhe bashkëshortja e tij jetojnë në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb